Kosova i kërkon sqarime ambasadorit maqedonas

Prishtinë | 26 Sht 2016 | 19:21 | Nga

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka kërkuar sqarim nga Ambasadori maqedonas në Prishtinë, për atë që ajo e ka quajtur gjuhë tendecioze të tij në fshatën parazgjedhore në raport me Kosovën dhe personalitete të saj.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës sot ka kërkuar sqarim nga Ambasadori i Maqedonisë në Prishtinë për zhvillimet e dy ditëve të fundit në shtetin fqinj, ku për qëllime ditore të fushatës parazgjedhore atje po apostrofohen personalitete nga Kosova dhe emri i shtetit të Kosovës”, thuhet në një njoftim të MPJ’së.

Në kërkimin e sqarimit për Ambasadorin nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të MPJ’së, Albert Prenkaj, është shtruar nevoja që Kosova të marrë zyrtarisht një përgjigje nga shteti i Maqedonisë përkitazi me një gjuhë të vlerësuar “aspak demokratike që nuk i shërben ruajtjes dhe kultivimit të marrëdhënieve shumë të mira miqësore mes Kosovës dhe Maqedonisë”.

MPJ ka kërkuar nga partitë politike maqedonase, dhe politikanët në pushtet ta shmangin Kosovën dhe personalitetet e saj nga fjalori i përditshëm i fushatës parazgjedhore dhe që të ruajnë edhe më tej frymën e mirë të bashkëpunimit si dy shtete fqinje.

Reagimi i MPJ’së vjen pas deklaratave nacionaliste të deputetëve të VMRO-DPMNE në Parlamentin e Maqedonisë dhe mediave maqedonase ku janë apostrofuar emrat e Gjeneralit Kadri Kastrati dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti.

Të ngjashme