Kosova, mes historisë dhe “historisë”

Prishtinë | 13 Sht 2020 | 08:03 | Nga Ekonomia Online

Kosova dhe Serbia nënshkruan të premten në Shtëpinë e Bardhë marrëveshjen 16-pikëshe, të ashtuquajtur për normalizim ekonomik. Ajo nuk e përmban elementin kryesor të cilin e kishte proklamuar në vazhdimësi kryeministri Hoti e presidenti Thaçi. Njohës të rrethanave thonë se obsesioni i Kosovës për njohjen nga Serbia ka sjellë më shumë dëme sesa dobi, për shkak të lëshimeve të vazhdueshme

Historike është konsideruar çdo marrëveshje e zotim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë edhe atëherë kur pala kosovare ka pranuar që në dokument të hiqet “Republika”. Ato marrëveshje dhe momente që vërtet janë vlerësuar historike për Kosovën, sikurse është Rambujeja, propozimi i Ahtisaarit për Pavarësinë e Mbikëqyrur – nuk janë nënshkruar nga Serbia. Historianë dhe njohës të rrethanave thonë se elementi ‘historik’ u është dhënë marrëveshjeve, të cilat në mënyrë të vazhdueshme kanë marrë copëza nga sovraniteti i vendit duke ia mundësuar Serbisë ta fuqizojë pozitën e vet përballë Kosovës në arenën ndërkombëtare, shkruan KOHA Ditore.

Marrëveshja që injoroi thelbin e problemit

Kosova dhe Serbia nënshkruan të premten në Shtëpinë e Bardhë marrëveshjen 16-pikëshe, të ashtuquajtur për normalizim ekonomik. Ajo u quajt historike nga presidenti Trump dhe delegacioni kosovar, edhe pse nuk e përmban elementin kryesor të cilin e kishte proklamuar në vazhdimësi kryeministri Hoti e presidenti Thaçi. As nuk u nënshkrua në “Kopshtin e trëndafilave” që është sinonim për marrëveshjet historike. Atë ua kishte premtuar presidenti amerikan Trump në vitin 2018 presidentëve Thaçi-Vuçiq, nëpërmjet letrës që i inkurajonte palët të shkonin drejt marrëveshjes së paqes.

Delegacioni kosovar i udhëhequr nga Hoti ishte zmbrapsur nga përcaktimi që marrëveshja me Serbinë ta ketë edhe “njohjen e ndërsjellë”. “Koha” ka publikuar dokumentet që dëshmojnë prapaskenat të cilat i paraprinë nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë. Në draftin fillestar ishte përfshirë edhe “njohja e ndërsjellë” dhe emërtimi “Republika e Kosovës”, por që janë hequr në marrëveshjen finale.

Disa prej çështjeve janë riciklim i marrëveshjeve të Brukselit, sikurse ajo për energjinë apo hapjen e pikëkalimit të përbashkët në Merdar. Pavarësisht mungesës së njohjes dhe përfshirjes së resurseve të Kosovës në marrëveshje, siç është Liqeni i Ujmanit, pala kosovare njësoj si në të kaluarën edhe këtë marrëveshje me Serbinë e kualifikoi si arritje historike.

Por historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi thotë se në Washington ka pasur një letër të zotimeve, ku hartimin e saj e ka bërë administrata e presidentit Trump. Sipas tij, nuk kemi të bëjmë me marrëveshje klasike.

“Letra e zotimeve në Washington para presidentit amerikan, e nënshkruar nga presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës, është një ngjarje e rëndësishme politike, që nxori në pah atë që tashmë dihet, se edhe raportet Kosovë-Serbi, sado të degraduara kohëve të fundit qoftë me qasjen e papërgjegjshme të klasës politike të Kosovës në normalizimin me Serbinë ta kthejë në një favor të Serbisë, qoftë me lojërat e njohura të Beogradit që dialogimin me Kosovën ta kthejë në një atu për t’i rikthyer disa pozicione të humbura prej kohësh me vendet e GJND-së, mund të vendosen në binarët e interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike të Perëndimit vetëm atëherë kur këtë e merr në dorë Shtëpia e Bardhë”, ka thënë Buxhovi.

Të ngjashme