Kosova nis vitin 2020 me qeveri në largim

Prishtinë | 01 Jan 2020 | 10:44 | Nga Ekonomia Online

Më 19 korrik të vitit 2019, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës. Ky vendim i tij erdhi pasi mori ftesë nga Gjykata Speciale, në cilësinë e të dyshuarit.

Pas këtij vendimi, presidenti Hashim Thaçi shpalli datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat u mbajtën më 6 tetor. Por, edhe pse kanë kaluar pothuajse tre muaj nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, Haradinaj ende vazhdon të jetë kryeministër në detyrë.

Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje e cila doli e para në zgjedhje nuk po arrin të merret vesh me Lidhjen Demokratike të Kosovës për një koalicion bashkëqeverisës.

Pas certifikimit të rezultateve, kandidati për kryeministër, Albin Kurti është takuar disa herë me liderin e LDK-së, Isa Mustafa. Në fillim gjasat dukeshin të mëdha për një krijim të shpejtë të qeverisë. Mirëpo, postet që po u konvenojnë dy partive po dalin të jenë problematike.

Lidhja Demokratike ka ngulur këmbë që të ketë postin e presidentit, ndërsa Vetëvendosje nuk po heq dorë nga posti i ministrisë së Brendshme, për të cilën kishte këmbëngulur përgjatë tërë fushatës zgjedhore, shkruan lajmi.net.

Një ditë para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, Kurti njoftoi se do të shkojnë pa arritur marrëveshje me LDK-në. I frustruar, Mustafa tha se VV i kishte shpërfillur rregullat për të cilat kishin rënë dakord.

Mustafa theksoi se VV po ia hedh fajin LDK-së pasi ka dështuar strategjia e tyre për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata.

Më 26 dhjetor në seancën konstituive, VV befasoi LDK dhe partitë tjera kur propozi deputetin e saj, Glauk Konjufca për kryetar të Kuvendit. Konjufca mori 75 vota për, 27 kundër dhe 6 abstenime.

Kuvendi zgjodhi në postet e nënkryetarëve, Arbërie Nagavcin nga Lëvizja Vetëvendosje, Kujtim Shalën nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Memli Krasniqin nga Partia Demokratike e Kosovës.

Pas kësaj, presidenti Hashim Thaçi ftoi Albin Kurtin për takim konsultativ që t’i ndërmarrin hapat me qëllim të funksionalizimit të institucioneve.

Kurti nuk iu përgjigj kësaj ftese me arsyetimin se ndodhej jashtë vendit. Presidenti përsëri i çoi një ftesë të dytë, por duke mospranuar, Kurti tha se ndodhej në Shkup.

Më 30 dhjetor, Thaçi prap insistoi të takohej me Kurtin, ndërsa ky i fundit doli me propozim të tijin. Ai kërkoi që takimi të mbahen më 6 janar në një orë që do t’i përshtatej presidentit.

Një ditë më parë, Kurti deklaroi se LDK ia përcakton datën e formimit të qeverisë e jo presidenti.

“Pra, Presidenti i Republikës përcakton datën e konsitutimit të Kuvendit e jo të formimit të Qeverisë. Formimin e Qeverisë e përcakton tjetërkush. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës jo Presidenti i Republikës”.

I menjëhershëm ishte reagimi i liderit të LDK-së, Isa Mustafa. Ai tha se partia e tij nuk e cakton datën e formimit të qeverisë, por VV e cila është fituese e zgjedhjeve ka përgjegjësi që ta formojë qeverinë.

Në postimi e tij në Facebook, Mustafa la të nënkuptohet se ka gjasa të vogëla që partia e tij të jetë pjesë e qeverisë së re.

Por në mbledhjen e Këshillit të VV-së, Kurti e përsëriti se partia e tij si partner të vetëm për koalicion e sheh vetëm Lidhjen Demokratike dhe asnjë parti tjetër.

Në 2020’tën pritet të vendoset nëse vendi do shkojë përsëri në zgjedhje të jashtëzakonshme ose VV dhe LDK do merren vesh për një koalicion bashkëqeverisës edhe pse gjasat kanë mbetur të pakta.

Ndërkohë, Ramush Haradinaj vazhdon të jetë kryeministër në detyrë, pesë muaj pas dorëheqjes.

Të ngjashme