Kosova po e kërkon Partneritetin për Paqen, NATO rikujton se duhet konsensusi i të gjitha vendeve

Prishtinë | 06 Maj 2022 | 18:01 | Nga Ekonomia Online

Paralajmërimet e Kosovës se do të kërkojë përfshirje në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, shihen si dëshmi e përkushtimit të këtij shteti për të ndjekur rrugën e integrimeve euroatlantike, por diplomatët në Bruksel rikujtojnë se realizimi i këtyre aspiratave varet nga vullneti kolektiv i të gjitha 30 vendeve anëtare të aleancës.

Shtetësinë e Kosovës nuk e njohin katër vende anëtare të NATO-s: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja dhe ky fakt mund të bëhet pengesë edhe për përfshirjen formale të Kosovës në Partneritetin për Paqe.

“Të gjitha vendimet në NATO, përfshirë edhe për Partneritetin për Paqe, merren me konsensus nga Këshilli i Atlantikut – trupi vendimmarrës i NATO-s”, ka thënë një zyrtar i NATO-s për Radion Evropa e Lirë.

NATO-ja nuk e ka mbështetur zyrtarisht as transformimin e Forcës të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, ndonëse ky hap është mbështetur nga shumë shtete anëtare.

Nga NATO-ja vazhdojnë të insistojnë se mbështesin aktivitetet e ndërtimit të forcave të sigurisë së Kosovës, por nënvizojnë se kjo vlen vetëm për “mandatin e tyre origjinal”.

“NATO-ja mbetet tërësisht e përkushtuar për sigurinë e Kosovës. Misioni ynë i KFOR-it vazhdon të ofrojë ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nga viti 1999. Çfarëdo ndryshimi në paraqitjen e KFOR-it mbetet e bazuar në kushtet dhe në kalendarin kohor”, ka thënë një zyrtar i NATO-s.

Nga aspekti politik, NATO-ja vazhdon të mbështesë normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit, përfshirë edhe ato përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Procesin e dialogut, NATO-ja e konsideron “zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për të dyja palët dhe gjithë rajonin”.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011./REL/

Të ngjashme