Kosova shënon 60-vjetorin e BE-së, kërkon të mos mbetet e izoluar

Prishtinë | 27 Mar 2017 | 19:12 | Nga Ekonomia Online

Në 60-vjetorin e Traktatit të Romës, Kosova nuk i fsheh ambiciet për anëtarësimin “në mesin e të barabartëve”.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se kosovarët e dinë që kjo nuk do të jetë një rrugë e lehtë, që kërkon shumë energji, angazhim dhe konsistencë nga të gjithë.

“Por çmimi për të qenë pjesë e BE-se ia vlen, siç ka thënë dikur ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Westerwelle”, ka thënë Ahmetaj.

Ajo i ka bërë komentet në shënimin e 60-vjetorin të Traktatit të Romës, e cila i parapriu themelimit të Bashkimit Evropian, të organizuar në Prishtinë nga Zyra e BE-së, në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Kosovë. Me këtë rast është hapur dhe një ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ku janë prezantuar 60 vjetët e rrugëtimit të BE-së.

Në këtë ngjarje merrnin pjesë shefha e BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, nga shoqëria civile, komuniteti i biznesit etj.

Në këtë përvjetor, Ahmetaj ka shprehur dëshirën që populli i Kosovës së shpejti të jetë në gjendje të udhëtojë lirshëm nëpër Evropë dhe të mos jetë më i izoluar. “Izolimi dhe muret nuk janë përgjigje ndaj kërcënimeve me të cilat po përballet civilizimi”.

“Koha është tani ose kurrë…BE-ja ka nevojë për Kosovën dhe Ballkanin sikurse Ballkani që ka nevojë për BE-në, për stabilitet më të mirë politik, prosperitet ekonomik dhe më shumë siguri për rajonin dhe tërë botën. Shprehja e shqetësimit nuk është mesazhi qe ne e kërkojmë nga Brukseli; ne kemi nevojë për veprime dhe masa reale në mënyrë që Ballkani që po lëkundet, të ankorohet në BE”, ka theksuar ministrja e Integrimit.

Ambasadorja e BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, tha se Kosova ka të ardhme evropiane. “Fakti që shumë shtete vendosën t’i bashkohen BE-së tregon se sa vizionarë ishin përfaqësuesit e BE. BE është e përkushtuar ndaj të ardhmes së Kosovës. Kosova duhet të mbledh kurajon dhe vizionin për të ecur përpara”, ka thënë ajo.

“Vizioni i themeluesve të BE duhet të vazhdojë. Duam një Evropë që i promovin vlerat e BE-së dhe Kosova është njëra nga to. Politika e BE-së ndaj Kosovës mbetet e fortë”, ka shtuar ajo.

Kurse, ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Sardi, ka thënë se Traktati i Romës përcaktoi komunitetin ekonomik për Evropën.

“Komuniteti ekonomik evropian evoluoi në Komunitetin Evropian. Është bërë një Bashkim Evropian që ka kaluar ndasitë dhe dallimet. Ekspozita që do ta hapim sot ka të bëjë me të arriturat e BE për 60 vite. Shtetet anëtarë kanë punuar me zell që t’i tejkalojnë ndasitë”, ka thënë ai.

Sipas tij, deklarata e Romës tregon atë se si bëhet një Evropë e qëndrueshme.

Të ngjashme