Kosova shënon Vitin e Ri Hebraik, sivjet më veçantë pas vendimit të Izraelit për njohje

Prishtinë | 15 Sht 2020 | 19:02 | Nga Ekonomia Online

Në Prishtinë është shënuar  viti i ri hebraik, ku morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë e personalitete të tjera. Në këtë ceremoni u tha se lidhja e miqësisë mes popullit të Kosovës dhe Izraelit është e madhe, raporton Ekonomia Online.

Ky vit u tha se po shënohet në kushte të rënda, por edhe më i veçantë, pas vendimit për njohje të pavarësisë së Kosovës, nga Izraeli.

Thaçi: Normalizimi politik dhe njohja reciproke Kosovë – Serbi mund të ndodhë vetëm në Washington

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në shënimin e vitit të ri hebraik, ka thënë që sot është nder për Kosovën që kjo festë po shënohet në Kosovë, me lajmin e shumëpritur të njohjes nga shteti i Izraelit.

“Shënojmë këtë manifestim madhështore me një moment historik për të dyja vendet. Do të kemi linja ajrore më funksionale, ka karakter të sigurisë, do të jemi në luftim të terrorizmit. Njohja e Izraelit ka një rëndësi strategjike, do të forcojë Kosovën dhe rolin e saj si subjektivitet i fuqishëm ndërkombëtar. Kjo njohje reciproke ndodhi në Shtëpinë e Bardhë”, tha ai.

Sipas Thaçit, presidenti Donald Trump me marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë bëri atë që të tjerët për 20 vjet nuk kanë arritur ta bëjnë, në kohën kur të tjerët sipas tij ishin skeptikë me punën e emisarit amerikan për dialogun Richard Grenell.

“Pas përpjekjeve të shumta kjo njohje reciproke ndodhi në Shtëpi të Bardhë, pra erdhi përmes Washingtonit. Në kohën kur emisari i SHBA-së për dialogun, Richard Grenell e filloi ishim shumë skeptik. Ne kishim shpresën dhe optimizmin se ishte adresa e duhur dhe mund të finalizohej në Shtëpi të Bardhë. Presidenti Trump bëri të pamundurën që të ndodhë e mundura. Bëri atë që tjerët për 20 vjet nuk e bënë”.

“Kam besim se mund të ndodhë edhe normalizimi politik dhe njohja reciproke mund të ndodhë vetëm në Washington. Përpjekjet tjera janë të kota”, ka thënë Thaçi.

“Është të nder që këtë vit të shënojmë vitin e ri hebraik këtu në Prishtinë. Këtë vit kjo festë është edhe më e madhe sepse vjen me lajmin për njohjen reciproke nga Izraeli për Kosovën”.

Ai tha së me këtë historia jonë po forcohet  çdo ditë e më tepër.

“Ndërtohet urë e fuqishme e komunikimit. Do të përfitojë  edhe Kosova edhe Izraeli. Do të kemi më tepër stabilitet zhvillim ekonomik dhe  paqe. E mirëpresim marrëveshjen  diplomatike sa më shpejt të jetë e mundur. Ka karakter ekonomik sepse do të kemi më tepër rruge, e linja ajrore”.

Sipas tij, njohja reciproke ka një rëndësi strategjike për shtetin  tonë sepse do të forcojë Kosovën si subjektivitet ndërkombëtar.

Osmani: S’ka dy popuj tjerë që e kuptojnë më mirë njëri-tjetrin se shqiptarët dhe izraelitët


Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, në fjalimin në festën e Vitit të Ri hebraik të komunitetit hebre në Prishtinë, tha se populli shqiptar dhe ai izraelit e kuptojnë mirë dhimbjen e njëri-tjetrit dhe kërkoi që marrëdhëniet Kosovë-Izrael të kalojnë një fazë tjetër.

“Këtë vit sikurse çdo festë tjetër për popujt anë e kënd botës edhe kjo festë po festohet ndryshe për shkak të pandemisë. Por, pikërisht në frymën e kësaj feste uroj që besimi miqësi, solidariteti dhe optimisti të shndërrohet në udhërrëfyes për të gjithë ne dhe po ashtu të na gjejë të gjithëve ky vit në një stad më të avancuar në marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Izraelit”.

“Historia e dëshmon që për një kohë të gjatë, por në veçanti shtatë dekada më parë gjithë shqiptarët i qëndruan pranë popullit hebraik për t’i shpëtuar ata nga shfarosja. Para 20 vjetësh gjatë luftës në Kosovë kur populli i Kosovës po rrezikohej nga shfarosja, ishte pikërisht Izraeli dhe shtetet tjera që i dolën në krah”.

“S’ka dy popuj që i kuptojmë vuajtjet më mirë e më shumë sesa populli ynë në Kosovë dhe ai në Izrael. Është lajm dhe sihariq i mirë për të kurorëzuar një miqësi të gjatë mes dy popujve”.

Hoti: Komuniteti hebraik është hallkë e rëndësishme

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, tha se është ndër i veçantë të jetë sonte këtu.

“Është kënaqësi të jemi sot së bashku për të festuar vitin e ri hebraik dhe fillimin e festës 10-ditore. Uroj që të kemi pasurim shpirtëror. Sipas traditës ju i ktheheni tryezës familjare ashtu siç është  ushqimi juaj molla me mjaltë…”

“Republika e Kosovës është republikë parlamentare që garanton lirinë fetare. Kësaj radhe ‘Rosh Hoshanan’ është i posaçëm. Komuniteti hebraik është hallk e rëndësishme në marrëdhënie tona dhe do t’i thellojmë marrëdhëniet tona në çdo drejtim”, tha Hoti

Kurti: Historia e Adamit dhe Evës na mëson se jemi të së njëjtës familje

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në festimin e Vitit të Ri hebraik në Prishtinë uroi të gjithë hebrenjtë në mbarë botën për festën e tyre, ndërsa atyre në Kosovë dhe Shqipëri iu tha se duhet të ndihet si në shtëpinë e tyre.
Derisa tregoi se nuk di hebraisht, Kurti tha se e di domethënien e urimit që thuhet në këtë festë.

“Kam lexuar se një nga urimet që e bëni në këtë festë është “qoftë ky vit i ri i ëmbël për të gjithë”. Është e vërtetë pas një viti me kaq sfida shëndetësore dhe ekonomike për shkak të pandemisë e gjithë bota ka nevojë për një vit më të ëmbël. Ne në këtë festë të hebrenjve dëshirojmë mbarësi për bashkëkombësit tanë shqiptaro-hebrenj të Kosovës dhe Shqipërisë, gjithë hebrenjve në botë, e sidomos për ata të Izraelit, i cili së fundi u shpreh i gatshëm për njohjen e Kosovës”.

“Njohja shtetërore mes Izraelit dhe Kosovës do të jetë vetëm hapi i parë i radhës për miqësinë në mes popullit shqiptar dhe atij izraelit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shumëkush i kujtojnë ndihmat që i dhanë shqiptarët hebrenjve, por edhe gjatë dhe pasluftës në Kosovë, Izraeli dhe shumë vende të tjera kanë mirëpritur refugjatët tonë dhe kanë dërguar ndihma humanitare dhe janë angazhuar politikisht për drejtësi. E shkuara na mëson të bashkëpunojmë për paqe dhe ta ruajmë njerëzinë përballë çdo dhune që na kërcënon”.

Kurti në fjalimin e tij tha se kjo festë është edhe përkujtim për dy njerëzit e parë dhe se për këtë duhet që popujt të jenë të lidhur në miqësi, pavarësisht dallimeve në gjuhë dhe kulturë.

“Rosh Hashanah – kam lexuar se është përkujtimi i krijimit të njerëzve të parë, Adamit dhe Evës. Kjo histori na përkujton besimin se të gjithë jemi pjesë e së njëjtën familje njerëzore. Racat e kombet, gjuhën e kulturat nuk duhet të na bëjnë ta harrojmë këtë, andaj lidhemi miqësisht me njëri-tjetrin”.

Kurti tha se ndonëse Kosova duket e vogël dhe e varfër dhe s’mund t’i ofrojë shumë Izraelit dhe shteteve të tjera, ajo ofron zemrën e hapur për përparim të miqësisë në çdo sferë.

“Kosova është atdhe i hebrenjve. Hebrenjtë këtu kanë po aq të drejta sa unë dhe të tjerët. Ndihuni në Kosovë si në vendin tuaj”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme