Kosova shkon në zgjedhje pa ndryshuar ligjin elektoral dhe pa ligj për qeveri

Prishtinë | 24 Dhj 2020 | 20:07 | Nga Ekonomia Online

Qeveritë në vazhdimësi po kritikohen për shkak të numrit të madh të ministrave e zëvendësministrave. Nga shoqëria civile thonë se kjo po ndodh për shkak të mungesës së ligjit për zgjedhje dhe ligjit për qeveri.

Tash e disa vite në Kosovë diskutohet për nevojën e miratimit të ligjit të zgjedhjeve dhe atij për qeverinë, por deri më tash asnjëri nga këto ligje nuk janë proceduar për votim në Kuvendin e Kosovës.

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se as nga subjektet politike në Kosovë e as nga faktori ndërkombëtarë këto ligje nuk janë prioritet.

“Kosova ka nevojë për reformë politike, por si duhet as nga subjektet politike a tash as nga faktori ndërkombëtarë nuk po shihet si prioritet. Pra edhe faktori ndërkombëtarë e ka zbehur ndikimin në shtytjen e qeverisë për të miratuar një ligj të tillë. Kjo pasi Kosova po përballet me procese tjera siç është dialogu me Serbinë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Yll Zekaj.

Genc Nimoni thotë se mungesa e ligjit për qeverinë iu ka shërbyer qeverive tjera si bazë për të bërë pazare politike, përcjell Telegrafi.

“Mungesa e ligjit ka qenë një bazë për qeveritë e kaluara se si të bëhet pazar mes akterëve politikë të përfshirë në koalicion. Më shumë edhe manovruar me zëvendësministrat ku janë shtuar në numër të madh e që më shumë ka shërbyer për rehatim të militantëve të tyre se sa një nevojë për pozita të tilla”.

Në dy vitet e fundit vazhdimisht është premtuar nga qeveritë se ky ligj do të procedohet në Kuvend, por qeveria tashmë në detyrë nuk ka arritur ta dërgojë për votim këtë ligj./Telegrafi

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme