Kosova shpreson që Kroacia do ta mbështesë anëtarësimin e saj në EUSAIR

Prishtinë | 30 Maj 2022 | 09:03 | Nga Ekonomia Online

Kosova dëshiron t’i bashkohet Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit (EUSAIR), një forum në të cilin dhjetë vende bashkëpunojnë në projektet e transportit, turizmit dhe mbrojtjes së mjedisit, dhe shpreson që Kroacia do ta mbështesë atë.

Dhjetë vendet, Kroacia, Sllovenia, Italia, Greqia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe San Marino u takuan në Tiranë më 16-18 maj, ku miratuan një deklaratë të përbashkët që bën thirrje për zgjerimin e BE-së në Ballkani Perëndimor.

Një delegacion i Kosovës i kryesuar nga Ministri i Administrimit të Pushteti Lokal, Elbert Krasniqi  ishte në atë kohë në Tiranë dhe nuk mori pjesë në takim, por u takua me përfaqësues të Komisionit Evropian.

Duke folur për Hina, Krasniqi tha se iniciativa Adriatiko-Joniane mund të jetë e plotë vetëm kur të jenë anëtarësuar të gjitha vendet.

“Kjo nismë ofron mundësi shkëmbimi dhe përfitime të përbashkëta në turizëm, agjendën e gjelbër dhe lëvizshmërinë, e cila është e rëndësishme për të gjitha vendet. Ajo gjithashtu ofron perspektivën evropiane. Është legjitime që ne të jemi pjesë e kësaj”, tha ai.

Që Kosova të anëtarësohet në EUSAIR, kërkohet pëlqimi i të gjitha shteteve anëtare, por Serbia po e bllokon këtë.

Një zyrtar i Komisionit Evropian, i cili mori pjesë në bisedimet e Tiranës, tha në kushte anonimiteti se Kosova kishte kërkuar të anëtarësohej, por qeveria e saj e kuptonte se do të duhej të priste që situata të normalizohej. Ai gjithashtu shtoi se EUSAIR mund të zgjerohet.

Në Tiranë, delegacioni i Kosovës dhe ai serb nuk u takuan, shkruan N1, transmeton Klankosova.tv.

“Ne do të tregojmë edhe një herë dëshirën tonë për t’iu bashkuar EUSAIR në qendër të agjendës sonë. Ne do të përpiqemi ta negociojmë. Kosovës nuk duhet t’i mohohet e drejta për të qenë pjesë e kësaj. Ideja e kësaj iniciative është përfshirja, jo përjashtimi dhe izolimi. Ne kemi besim se Kroacia do të mbështesë aspiratën e Kosovës. Shpresojmë që zyrtarisht të bëhemi partner gjatë presidencës kroate”, tha Krasniqi.

Në takimin e Tiranës mori pjesë sekretarja shtetërore e Ministrisë së Jashtme të Kroacisë, Andreja Metelko-Zgombic.

Ajo tha se në takim nuk është diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në EUSAIR dhe shtoi se interesi dhe qëndrimi i Kroacisë ishte që Kosova të përfshihet në të gjitha iniciativat, përfshirë organizatat ndërkombëtare.

“Shpresoj se në një të ardhme të afërt Kosova do të jetë në gjendje të bëjë një hap në atë drejtim”, është shprehur ajo.

Të ngjashme