Kosova s’përfiton asgjë nga mini-shengeni Ballkanik, të radhitet përkrah BE-së

Prishtinë | 30 Tet 2019 | 08:32 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nga viti 2021 shtete e Ballkanit Perëndimor synojnë që t’i eliminojnë kontrollet kufitare dhe pengesat tjera e njohur si mini-shengeni Ballkanik, raporton Ekonomia Online.

Për këtë u morën vesh kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kjo ide po konsiderohet se është në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe e dëmshme në aspektin ekonomik, si dhe atë politik.

Fituese për nga aspekti ekonomik po vlerësohet të jetë vet shteti serb, por edhe shtetet tjera të rajonit.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se përfituese e këtij projekti është vetëm Serbia.

“Mendoj që normalisht ka shumë pista të cilat mund të promovojnë ide për atë që tashmë njihet si mini-shengen. Megjithatë mendoj që ideja kryesore vjen nga Beogradi dhe kjo për shumë arsye. E para është krijimi i një pozicioni më të favorshëm të Serbisë kundrejt shteteve të tjera të Ballkanit”.

“Në radhë të parë pas anulimit ose mosdhënies së datës për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që sipas mendimit tim janë shenja të sigurta që rruga integrimit të Ballkanit në Bashkimin Evropian do të jetë e komplikuar dhe përderisa Serbia mund të përfitojë në kuptimin e negocimit të kapitujve një nga një, të paktën ajo dëshiron që mos të humb kohë në kuptimin e këtij integrimi dhe në terma ekonomik, prandaj edhe propozon atë që tashmë që njihet si shengen Ballkanik përmes së cilit synohet të hiqen kufijtë, respektivisht të krijohet mundësi e lëvizjes së lirë të mallrave, të shërbimeve, të njerëzve dhe të kapitalit, ide e cila definitivisht më së shumti do të përfitonte Serbia”.

Ai ka rekomanduar që autoritetet e Kosovës të mosbëhen assesi pjesë e këtij plani.

“Mendoj që autoritetet e Kosovës deri më tani nuk janë kontaktuar fare për këtë çështje dhe nuk do të ishte një qasje tjetër pos që të ndiqeshin në mënyrë të përpiktë hapat e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në asnjë mënyrë të mos bëheshin pjesë e kuazi planit siç është ky plani për mini-shengen”, ka thënë Hoti.

Se ky mini-shengen është i dëmshëm për Kosovën e thotë dhe njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj.

Thotë se kjo do të ishte e papërballueshme, pasi Kosova nuk ka prodhim vendëse për të eksportuar në shtetet tjera të rajonit.

“Kjo është vetëm një përpjekje e këtyre tre liderëve që të jenë në trendin e zhvillimit ekonomik të shteteve të veta apo duke tentuar që ta ngrisë moralin e tyre politik, por më së paku ka ndikim ekonomik, sepse këto tri vende dhe Ballkani Perëndimorë ka pasur pretendime që të jetë pjesë e Bashkimit Evropian që për fat jo të mirë këtë herë BE-ja e dha një dritë të kuqe për Ballkanin Perëndimorë që këto vende kanë filluar që të numërojë ora për së prapthi sepse më së paku ju duhet një mini-shengen e aq më keq si një shtet shqiptarë që gjithmonë ka qenë një votë pro në të gjitha takimet si në CEFTA apo në takimet rajonale. Këtë herë e anashkalojë Kosovën që kjo për ne si shtet do të thotë diçka negative po ekonominë dhe politikën”, ka thënë Kadriaj.

Rekomandim të njëjtë si Hoti e jep edhe Kadriaj, që institucionet kosovare të radhiten përkrah BE-së, raporton EO.

“E vetmja mundësi është që institucionet e Kosovës duhet të radhiten përkrah Bashkimit Evropian sepse e vetmja shpresë për Kosovën si shtet i ri duhet të jetë vetëm kjo rrugë sepse ne nuk guxojmë të hyjmë në këto lojëra ballkanike sepse dihet që e kaluara jonë nuk ka qenë e mirë si nga ana ekonomike po ashtu edhe politike”, ka thënë Kadriaj.

Të ngjashme