Kosova thotë se është gati për aplikim në Këshillin e Evropës, por s’tregon se kur

Prishtinë | 21 Pri 2018 | 13:01 | Nga

Janë dhënë vazhdimisht afate se kur Kosova do të aplikojë për në Këshillin e Evropës, megjithatë një vendim i tillë ende nuk është marrë. Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, në fillim të këtij viti kishte paralajmëruar se vendi do të aplikojë në këtë Këshill në muajin shkurt të 2018-ës, por që nga ajo kohë aplikimi nuk ka ndodh.

Nga Qeveria thonë për Express se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për t’u përgatitur për aplikim, por nuk tregojnë se kur.

Hashim Thaçi, gjatë kohës sa ishte ministër i Jashtëm, pati deklaruar se në tre muajt e parë të vitit 2015 Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por, as edhe pas tre vjetësh, aplikimi në këtë Këshill nuk është bërë. Fillimisht, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, kishin deklaruar se Prishtina zyrtare nuk ka aplikuar ende në këtë mekanizëm, pasi fillimisht pritet të bëhet nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.

Siç tashmë dihet, Kosova ka nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim Asoccimit në tetor të vitit 2015.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës po thotë se janë duke pritur momentin më të përshtatshëm për të aplikuar në Këshillin e Evropës derisa sqarojnë se janë për të gjitha përgatitjet e duhura për aplikim.

“Në kuadër të përpjekjeve për zhvillim të mëtejmë të marrëdhënieve multilaterale, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës mbetet një ndër objektivat kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës”, ka thënë për Express, Meliza Haradinaj, këshilltare e Kryeministri Haradinaj.

Siç deklaron ajo, nisur nga kjo, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’u përgatitur për aplikim për anëtarësim, dhe në momentin më të favorshëm do të ndërmerren hapat konkret për fillimin e procedurës së anëtarësimit, respektivisht dërgimin e aplikimit tek instancat relevante brenda Këshillit të Evropës.

“Kosova është anëtare e Komisionit të Venecias dhe anëtare e Bankës për Zhvillim, institucione këto mjaft të rëndësishme të Këshillit të Evropës”, ka deklaruar këshilltarja e Haradinajt, Meliza.

Por, zëvdendëskryeministri Enver Hoxhaj, muaj më parë kishte thënë se muaji shkurt është koha më e favorshme për aplikim.

“Koha, momenti dhe kushtet asnjëherë nuk kanë qenë më ideale për të aplikuar në Këshillin e Evropës. Besoj që shkurti mund të jetë kohë e përshtatshme për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, kishte bërë të ditur Hoxhaj.

Suspendimi i Rusisë nga Këshillit të Evropës nga Hoxhaj është parë si një situatë e mirë gjeopolitike për Kosovën.

“Kosova i plotëson kriteret e brendshme shumë më shumë se disa shtete që janë pjesë e këtij Këshilli, por ne mund të bëhemi pjesë e Këshillit të Evropës edhe për shkak të mbështetjes që shteteve anëtare në Këshill. Katër shtete anëtare të BE-së kanë konfirmuar që do të votojnë për anëtarësimin e Kosovën në Këshill të Evropës. Rusia është suspenduar nga Asambleja Parlamentare nga Këshilli i Evropës. Kjo do të ishte një situatë gjeopolitike e favorshme për Kosovën”, kishe deklaruar ai.

Anëtarësimi në Këshill të Evropës i hap rrugën Kosovës për anëtarësim në Procesin e Bolonjës, që do të rezultonte me përmirësimin dhe integrimin rajonal të arsimit të Kosovës. Aktualisht, të qenit jashtë Këshillit të Evropës po ua pamundëson qytetarëve të Kosovës qasjen në mekanizmat evropian për mbrojtje dhe promovim të të drejtave të njeriut. Një ndër këta mekanizma, është Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, ku qytetarët tanë nuk mund të kenë qasje pikërisht për shkak të të mos qenit shtet anëtar i Këshillit të Evropës.

Këshilli i Evropës është një organizatë e shteteve evropiane, e themeluar më 5 maj 1949 për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike. Qëllimi i Këshillit të Evropës është të arrijë një unitet më të madh midis anëtarëve të tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme