Kosova vendos marrëdhënie diplomatike me Barbadosin

Prishtinë | 09 Mar 2018 | 19:42 | Nga

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Barbadosit është një lajm shumë i rëndësishëm për fuqizimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës në marrëdhëniet me jashtë dhe dëshmia më e mirë se sukseset e Kosovës në diplomaci janë të pandalshme dhe të pakthyeshme.

Kështu ka vlerësuar zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, e cila u bë zyrtarisht sot, në New York nga lonsullja e Përgjithshme e Kosovës, Teuta Sahatçiu, dhe e ngarkuara me Punë të Përkohshme e Misionit të Përhershëm të Barbadosit në Kombet e Bashkuara, Juliette Babb-Riley në anën tjetër.

“Ne, do të vazhdojmë këtë praktikë të njohjes së ndërsjellë diplomatike me të gjitha shtetet që i kontribuojnë promovimit të paqes dhe ruajtjes së​ sigurisë dhe rendit ndërkombëtar”, ka thënë Pacolli.

Sipas MPJ-së, dokumenti shpreh dëshirën e të dyja vendeve respektive, që të promovojnë lidhjet e miqësisë në mes dy vendeve, zgjerimin e horizonteve të bashkëpunimit dy-palësh dhe të mbështesin kauzën për paqe dhe siguri ndërkombëtare.

Vendosja e marrëdhënieve, sipas MPJ-së, ri-afirmon angazhimin e dy Qeverive për parimet e Kombeve të Bashkuara dhe së Drejtës Ndërkombëtare, duke përfshirë respektin e përbashkët për sovranitetin kombëtar, integritetin territorial dhe mos-ndërhyrjen në çështjet e brendshme të ndonjë shteti tjetër.

Të ngjashme