Kosova voton për zgjedhjet lokale

Prishtinë | 17 Tet 2021 | 06:12 | Nga Ekonomia Online

Qytetarët anembanë Kosovës do t`i drejtohen sot kutive të votimit në zgjedhjet lokale.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1 milion e 885 mijë e 448 qytetarë, këta votues të drejtën e tyre mund ta ushtrojnë në 883 qendra të votimit me gjithsej dy mijë e 477 vendvotime, njofton Klankosova.tv.

Kurse, numri i personave që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e sotme është 41 mijë e 12 votues.

24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeçare pas 14 shkurtit kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare apo do ta arrijnë këtë moshë deri sot më 17 tetor në ditën kur po mbahen zgjedhjet lokale.

Po ashtu pjesë e 41 mijë e 12 votuesve të rinj janë edhe tetë mijë e 937 votues të cilët mund të konsiderohen se janë të regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Emrat e 18 mijë e 252 personave të vdekur janë larguar nga lista votuese e zgjedhjeve lokale e cila do të shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet lokale që po mbahen sot ka certifikuar 89 subjekte politike, nga këto janë 32 parti politike, një koalicion, 33 iniciativa qytetare dhe 23 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në votimet e sotme është pesë mijë e 364 kandidatë – ku nga ta janë tre mijë e 413 meshkuj dhe një mijë e 951 gra.

Nga ta janë 166 kandidatë për kryetarë të komunave – 152 meshkuj dhe 14 gra.

Ndërsa kandidatë për kuvende komunale janë pesë mijë e 198 – tre mijë e 261 meshkuj dhe një mijë e 937 gra.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka përpiluar listën me votuesve jashtë Kosovës, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm për votim jashtë Kosovës 15 mijë e 532 votues i ka larguar nga lista votuese që shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor.

Deri në ditën e fundit të afatit janë dërguar 5,649 pako me fletëvotime

Zgjedhjet do të monitorohen nga mijëra vëzhgues të vendit, ndërsa Bashkimi Evropian tashmë ka dërguar një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale. Kërkesa drejtuar BE-së për këtë mision vëzhgimi është bërë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në njoftimin e mëhershëm të lëshuar nga zyra e BE-së në Kosovë, thuhet se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell, ka emëruar deputetin e Parlamentit Evropian nga Austria, Lukas Mandl, shef të misionit vëzhgues për zgjedhjet lokale në Kosovë.

Sot nga ora 07:00 deri në ora 19:00, qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, do të kenë mundësi për të votuar për të zgjedhur kryetarët dhe asambleistët për 38 komunat e vendit, njofton Klankosova.tv.

Të ngjashme