“Kosovës po i mungon lobimi dhe diplomacia, enigmatike pse Kurti nuk po ftohet në Washington”

Prishtinë | 26 Shk 2022 | 09:02 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-kryeministri Avdullah Hoti (LDK)dhe ish-zëvendëskryeministri Fatmir Limaj (Nisma) kanë thënë për Ekonomia Online se Kosova pothuajse nuk ka diplomaci fare. Mungon lobimi dhe vendi po humb hapësira në Bruksel e Washington.

E ish-kryeministri Ramush Haradinaj (AAK) ka rikujtuar se kreu i Qeverisë Albin Kurti ka qenë fuqishëm kundër investimeve amerikane me energji në Kosovë, dhe kjo e dobëson Kosovën edhe në fushën e sigurisë.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj theksoi se Kosova po vëzhgohet si shtet dhe mesazhet e viteve të fundit kanë qenë të dëmshme për interesat e saj, duke shtuar se nuk ka diplomaci e as lobim. Limaj e ka quajtur Qeverinë Kurti “grup stanarësh”, për të cilët thonë se e konsiderojnë Kosovën si shtet me qera.

“Kosova nuk ka diplomaci, mungon lobimi. Ne po humbim hapësira në Bruksel. Po humbim hapësirat tona manovruese në Washington. Kjo për faktin e sjelljes së një qeverie e cila e ka probleme me humbjen e memorien historike”, ka deklaruar kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

“Neve na vëzhgojnë si shtet i ri. Na shohin se çfarë mesazhi japim. Mesazhet e viteve të fundit kanë qenë mesazhe të dëmshme për interesat e Kosovës”, thekson ai.

“Qeveria po thonë se ka pasur veç rrënim qe 20 vjet. Para 20 vjetësh, Kosova ka qenë e okupuar. Kosova ka qenë e shkatërruar dhe nuk ka pasur asnjë institucion. Për cilin 20 vjetësh po flisni. Ne e kemi shkatërruar sistemin shtetëror të shokut Tito dhe të Serbisë për t’i krijuar liri Kosovës”.

“Prandaj ata stanarë të mbledhur të qeverisë nuk kanë ide se si ka ardhur shteti. Ata duhet të mësojnë se si ka ardhur ky vend deri këtu. Atje fatkeqësisht janë mbledhur një grup stanarësh që Kosovën e shohin si vend me qera. Kosova nuk ka nevojë dhe nuk duhet të qeveriset nga qiraxhinjtë. Por duhet të qeveriset nga ata njerëz që kanë ndarë fatin me atdheun e tyre dhe nuk kanë atdhe rezervë”, shprehet Limaj.

Ish-kryeministri Hoti, megjithëse pajtohet se nën qeverisjen e Kurtit, diplomacia kosovare është joaktive, beson se marrëdhëniet me ShBA-në nuk mund të dëmtohen.

“Askush në Kosovë nuk ka fuqi që të prishë marrëdhëniet miqësore me shtetin amerikan. Mund të dëmtohen në moment të caktuara, por jo t’i prishë në kuptimin e plotë të fjalës. Është pak enigmatike pse nuk është ftuar Kurti deri më tash në Uashington. Shpresoj që të ndodhë sa më parë, në mënyrë që të fuqizohen marrëdhëniet me SHBA-në dhe të vazhdojë trendi i miqësisë ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së”, thotë Hoti.

Kurse, ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka rikujtuar se Kurti si opozitar ka qenë kundër investimeve amerikane, në fushën e energjetikës, në vendin tonë.

“Kryeministri Kurti, si kryetar partie, si opozitar, ka qenë mjaft i fuqishëm kundër investimeve amerikane me energji në Kosovë, ndërtimit të termocentralit nga “Contour Global” dhe gazsjellësit amerikan. Të dy këto kundërshtime e dobësojnë Kosovën edhe në anën e sigurisë sepse janë të ndërlidhura interesat energjetike dhe të sigurisë”, tha Haradinaj.

Të ngjashme