KQZ: Dalja në votime rreth 40%, rezultatet preliminare priten rreth orës 21:00

Prishtinë | 29 Nën 2020 | 19:40 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ka thënë se procesi zgjedhor në komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut është zhvilluar pa probleme, raporton Ekonomia Online.

Daka ka thënë se rreth orës 21:00 presin të dalin me rezultatet preliminare.

Ajo ka treguar se në Podujevë kanë votuar 40.51 për qind e votuesve, 7 për qind më pak se në zgjedhjet e vitit 2017. Ndërkaq në Mitrovicën e Veriut kanë dalë për të votuar 39.41 për qind e votuesve.

Kryetarja e KQZ-së ka njoftuar se konferenca e radhës mbahet menjëherë sapo të merren rezultatet e para për dy komunat ku po mbahen zgjedhjet.

Fjala e plotë i Dakës:

Ju njoftoj se procesi i votimit në komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut është përmbyllur.

Ju njoftoj se duke u bazuar në të dhënat të cilat i kemi pranuar nga terreni, procesi i sotëm zgjedhor në këto dy komuna është zhvilluar pa probleme. Këtë e tregon më së miri edhe numri i vogël i rasteve që janë paraqitur në Dhomën Operative të KQZ-së, vetëm 6 gjatë gjithë ditës, e të cilat janë raste që nuk cënojnë integritetin e zgjedhjeve.

Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, në procesin e sotëm zgjedhor kanë votuar 40.51% e votuesve 35 mijë e 400 nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 40 mijë e 162 votues apo 47.7%.

Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, kanë votuar 39.14% e votuesve apo 9 mijë e 124 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 8 mijë e 269 votues apo 37.9%.

Në fund, më lejoni që të falënderoj qytetarët e këtyre komunave, të cilët në rrethana të jashtëzakonshme në kohë pandemie, morën pjesë në votime dhe ndihmuan KQZ-në në zbatimin e masave mbrojtëse të institucioneve shëndetësore.

Në emër të KQZ-së, falënderoj Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, që gjatë gjithë ditës luajtën rolin e tyre të pazëvendësueshëm në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës. 

Gjithashtu, falënderojmë edhe anëtarët e Këshillave të Vendvotimit për punën e treguar deri më tani si dhe kërkoj nga ta që të respektojnë ligjin dhe procedurat gjatë fazës në vazhdim: numërimin e fletëvotimeve dhe përmbylljen e procedurave të parapara.

Krejt në fund, falënderoj të gjitha mediat që pasqyqruan procesin e sotëm zgjedhor dhe gazetarët që vizituan kaq shumë qendra të votimit dhe sollën atmosferën e qetë të këtij procesi zgjedhor.

Ju njoftoj se konferenca e radhës do të mbahet sapo të pranojmë rezultatet preliminare nga këto komuna dhe do t’iu njoftojmë përmes Zëdhënësit.

Ndërsa, nga ora 19:00 ka filluar afati për të paraqitur ankesat në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me zhvillimet në vendvotime gjatë ditës së sotme.

Të ngjashme