KQZ e rikthen Naim Bazajn në garë për kryetar të Drenasit

Prishtinë | 23 Nën 2016 | 14:01 | Nga

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që ta rikthejë në garë kandidatin “e pavarur” për zgjedhjet komunale në Drenas, Naim Bazaj.

Ky vendimi i KQZ-së vjen vetëm një ditë pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte anuluar vendimin e kësaj të parës për decertifikimin e Naim Bazajt në zgjedhjet për kryetar të komunës së Drenasit.

“Aprovohet si i bazuar apeli i subjektit politik Nisma, me seli në Prishtinë, ashtu që anulohet vendimi i KQZ-së, me numër 1084-2016 i datës 20.11.2016 dhe çështja i kthehet KQZ-së, në rishqyrtim dhe rivendosje”, thuhej ndër të tjera në vendimin e PZAP-së.

“Hedhet si e palejuar pjesa e kërkesës së panelit të subjektit politik Nisma, me seli në Prishtinë, në pjesën që i referohet lënies në fuqi të vendimit të KQZ-së, numër 1024/2016 të datës 11.11.2016, për certifikimin e kandidatit Naim Bazaj, për kryetar të Komunës në Gllogoc, për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale”, thuhej më tej në këtë vendim.

Ndërkaq sot, KQZ ka marrë vendimin e ri duke e rikthyer në garë Bazajn si kandidat i pavarur, i cili kohë më parë kishte vendosur të tërhiqej nga gara dhe t’i bashkohej fushatës së PDK-së, e cila për kandidat ka zgjedhur ish-ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme