KQZ-ja konfirmon se ka pranuar kërkesën e Limajt, rinumërimi po zhvillohet normalisht

Prishtinë | 11 Tet 2019 | 15:15 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se ka pranuar nga kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, një letër ku ai ka kërkuar rinumërim të votave në nivel vendi.

Në këtë letër ndër të tjera shkruan se janë evidentuar parregullsi dhe shkelje flagrante në përdorimin e formularëve të bartjes se rezultateve zgjedhore në të gjitha komunat e Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se këkresën e Nismës për rinumërim  e kanë dërguar në protokollin e këtij institucioni.

“Është dorëzuar në protokollin e KQZ-së”, tha ai.

Elezi, ka deklaruar se mbledhja e sotme e KQZ-së është shtyrë për ditën e nesërme, pasi që nuk kanë qenë të përgatitura materialet e nevojshme për mbledhjen e caktuar.

“Mbledhja është shtyrë për shkak të mos përgatitjes së nevojshme të materialeve për mbledhjen, nesër paradite do të mbahet dhe do të shqyrtohet rendi i ditës”, tha ai.

Ai ka sqaruar se procesi i verifikimit të rinumërimit të formularëve të subjekteve politike dhe kandidatëve është duke shkuar normalisht.

“Sipas kryeshefit të SKQZ-së, Enis Halimi ka konfirmuar se procesi i verifikimit dhe aplikacioneve nga jashtë është duke u bërë normalisht. Do ta kemi një raport nga QNR lidhur me zarfet që kanë ardhur jashtë vendit. Deri me datë 5 tetor ka pranuar rreth 16 mijë pako. Këto do të numërohen në QNR së bashku me fletëvotimet në kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta”.

Ai deklaroi se nga 55 formularë te rinumëruar 32 prej tyre janë publikuar në ueb faqen e KQZ. Me tej, theksoi qe KQZ është duke publikuar edhe formularët e vjetër për të parë ndryshimet.

“Rinumërimi ka vazhduar gjatë ditës se djeshme dhe është duke shkuar normalisht për 4-5 ditë do të përfundojmë rinumërimin e këtyre vendvotimeve. 55 nga 314 janë numëruar, prej 32 prej tyre kemi publikuar formularët e rezultatet e vendvotimeve për subjektet dhe kandidatët të cilat janë plotësuar pas procesit të rinumërimit”.

“KQZ po publikon formularët e vjetër për shkak transparencës për të parë ndryshimin. Votat me kusht me po atë dhe personave me nevoja të veçanta do të fillojmë procesin pas përfundimit të rinumërimit. KQZ varet prej procedurave ligjore dhe hapësirës që kemi në QNR”.

“Kemi 22 tavolina numërues, andaj duhet gjithçka të kryhet sipas procedurave ligjore. Më rëndësi është saktësia e procesit dhe jo shpejtësia”, tha ai.

Të ngjashme