KQZ-ja me raport përfundimtar: 32 parti politike kanë aplikuar për certifikim- verifikimi më së largu deri më 1 shtator

Prishtinë | 16 Gus 2021 | 18:44 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar përmes një konference për medie se në listat përfundimare rezulton që për certifikim kanë aplikuar 32 parti politike; 1 koalicion; 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Sipas Elezit pas këtij procesi, këto aplikime do të dorëzohen në institucione përkatëse për verifikim dhe data e fundit për diçka të tillë është 1 shtatori.

Deklarata e plotë e tij:

Gjatë periudhës dy mujore (17 qershor – 16 gusht) në Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej të cilave 32 parti politike; 1 koalicion; 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 4 mijë e 922 kandidatë, prej të cilëve 165 kandidatë për Kryetarë të Komunave dhe 4 mijëe 757 për Kuvende Komunale.

PROCESI I VERIFIKIMIT TË KANDIDATËVE SIPAS NENIT 29 TË LIGJIT PËR ZGJEDHJET E PËRGJITHSHME

Me qëllim të verifikimit të kandidatëve që duan të certifikohen në garën për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale, KQZ-ja do t’i drejtohet institucioneve të ndryshme, siç janë: Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrotjes dhe Doganës së Kosovës.

Në nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme janë të listuara të gjitha rastet kur një person nuk mund të certifikohet si kandidat, prandaj do të kërkohet për secilin kandidat, nga secili prej këtyre institucioneve, të bëjnë verifikimin sipas fushës së përgjegjësisë që mbulojnë. Komunikimi me këto institucione do të jetë i vazhdueshëm gjatë këtyre ditëve. Pra, sapo të përgatiten listat e ndonjë subjekti politik, të njëjtat do t’i dërgohen këtyre institucioneve. Sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-ja, i gjithë ky proces i dërgimit të kërkesave në këto institucione për verifikim të kandidatëve do të përfundojë deri më 23 gusht, ndërsa pranimi i përgjigjeve nga këto institucione deri më 24 gusht.

KQZ-ja do të marrë vendim për certifikimin ose jo të ndonjë subjekti apo kandidati, më së largu deri më 1 shtator. Në rast të moscertifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e paknaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme. Të gjitha këto çështje, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator. Kjo do t’i hapte rrugë KQZ-së për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim. Afati i fundit për tërheqjen e shortit është data 8 shtator.

Të ngjashme