KQZ-ja pranon dekretin për zgjedhje nga presidenti

Prishtinë | 20 Tet 2020 | 15:02 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zyra e presidentit Hashim Thaçi ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të Podujevës dhe Mitrovicës së veriut, raporton Ekonomia Online,

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së ka thënë se pasi kanë pranuar dekretin do të nisin me zbatimin e planit operacional për këtë zgjedhje.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duke filluar që nga sot (e martë) do të fillojë me përgatitjen e Planit Operacional dhe besojmë që gjatë ditës së nesërme, në mbledhje, do të miratohet ky Plan, ku parashihen të gjitha aktivitetet që do të ndërmerren nga ana e KQZ-së në kuadër të këtyre ditëve që janë në dispozicion të KQZ-së për të organizuar këto zgjedhje”.

“Sigurisht se në këtë Plan Operacional, do të renditen të gjitha aktivitetet të cilat do t’i realizojmë deri më datën 29 nëntor për organizimin e këtyre zgjedhjeve, por pastaj edhe aktivitetet e tjera të cilat zhvillohen pas ditës së zgjedhjeve”.

“Kjo është një situatë me rrethana të veçanta për shkak se jemi në periudhë pandemie. Ju e dini se zgjedhjet për kryetar të komunës së Podujevës janë shtyrë për shkak të pandemisë, ndërkaq zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut nuk ka pasur aktivitete të zhvilluara”, tha Elezi.

Ai thotë se buxheti për zgjedhjet në Podujevë është i ndarë, ndërsa për ato të Mitrovicës veriore, KQZ-ja do të dërgojë kërkesën te Qeveria e Kosovës.

“Sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me buxhetin për zgjedhjet për Kryetar të Komunës së Podujevës, buxheti veçse është i alokuar më herët sepse këto zgjedhje kanë qenë të shpallura dhe janë shtyrë vetëm një ditë para mbajtjes së tyre. Ndërkaq, sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, KQZ-ja do të dërgojë në Qeverinë e Republikës së Kosovës një kërkesë buxhetore për organizimin e tyre, pra do të kërkojë buxhet shtesë, sepse këto nuk janë zgjedhje të planifikuara dhe rrjedhimisht duhet një kërkesë e re buxhetore në mënyrë që të mund të mbahen këto zgjedhje”.

“Për çështjet që kanë të bëjnë me shëndetin, sepse jemi në kohë pandemie, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ketë komunikim me institucionet përkatëse dhe përgjegjëse, në këtë rast IKSHPK dhe Ministrinë e Shëndetësisë për të marrrë të gjithë këshillat për të organizuar sa më mirë këtë proces edhe në këtë aspekt”, tha ai.

Gjatë së martës presidenti Thaçi, ka shpallur datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës dhe për Kryetar në Komunën e Mitrovicës së Veriut.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto dy komuna, bazuar në vendimin e presidentit Thaçi do të mbahen më 29 nëntor 2020.

Presidenti Thaçi e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës dhe në atë të Mitrovicës së Veriut në përputhje me vendimet dhe ligjin në fuqi.

Në dy vendimet e presidentit Thaçi theksohet se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut duhet të bëhet në koordinim dhe bashkërendim me institucionet përkatëse, në pajtim me Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Të ngjashme