KQZ-ja vendos nëse do të mbahen zgjedhjet në Podujevë

Prishtinë | 14 Mar 2020 | 08:48 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), gjatë ditës do të marrë vendim për shtyrjen ose jo të mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar të Podujevës, pas konfirmim të dy rasteve me Coronavirus.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i ka thënë Ekonomia Online se në mbledhjen e së shtunës do të merret vendim për këtë çështje.

“Sot do të kemi mbledhjen e KQZ-së dhe do të dalim me qëndrim lidhur me këtë çështje”.

Para se të konfirmohen dy rastet e para me Coronavirus, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, i ka dërguar KQZ-së disa rekomandime,  të cilat duhet të ndërmerren gjatë ditës së votimit në qendrat e votimit dhe në vendvotime. Pra, këto rekomandime/udhëzime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i përcjellë te menaxheret e qendrave të votimit, anëtarët e këshillave të vendvotimit dhe te stafi tjetër që do të angazhohet në këto zgjedhje.

Ndërkaq, shteti fqinj, Maqedonia e Veriut, nuk do t’i shtyjë zgjedhjet e 12 prillit, pavarësisht disa rasteve të konfirmuara me këtë sëmundje. Megjithatë, fushata atje do të zhvillohet përmes medieve. Po ashtu edhe Serbia i ka caktuar zgjedhjet më 26 prill.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme