KQZ: Të gjitha vendvotimet në veri janë hapur me kohë, s’raportohet për parregullësi

Prishtinë | 19 Maj 2019 | 08:10 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur në konferencën e parë lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut se fletëvotimet dhe të gjitha materialet e ndjeshme zgjedhore janë shpërndarë sipas planifikimeve, raporton Ekonomia Online.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së ka njoftuar poashtu se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë dhe se votimi po zhvillohet në rregull.

“Ju njoftojmë se duke u mbështetur në informacionet e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve fletëvotimet dhe të gjitha materialet tjera të ndjeshme zgjedhore janë shpërndarë sipas planifikimeve”.

“Po ashtu, ju njoftojmë se të gjitha vendvotimet e këtyre komunave janë hapur në orën e paraparë, pra në orën 7:00. Duke u mbështetur në të dhënat nga tereni procesi i votimit po zhvillohet në rregull”.

Sipas të dhënave të KQZ-së numri votuesve është rritur për 970 votues krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

“Në këto katër komuna, numri i qendrave të votimit është 44 me gjithsej 87 vendvotime.
Ashtu siç kemi bërë të ditur edhe në komunikimet e ditëve të kaluara, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto katër komuna është 57 mijë e 983 votues apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017″.

Elezi u ba bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejt vote të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote nga këto komuna që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar”.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 57 mijë e 983 persona apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Në Leposaviq kanë të drejtë vote 18 mijë e 164 votues; 18 qendra të votimit; 31 vendvotime; në Zubin Potok: 8 mijë e 535 votues; 12 qendra të votimit; 16 vendvotime; në Zveçan: 9 mijë e 229 votues; 7 qendra të votimit; 13 vendvotime dhe në Mitrovicë e veriut: 22 mijë e 055 votues; 7 qendra të votimit; 27 vendvotime.

KQZ-ja ka angazhuar 670 komisionerë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, raporton EO.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet për katër komunat veriore të Kosovës pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.


Lexo më shumë:

Të ngjashme