KQZ: Votime të rregullta, pjesëmarrja mbi 42 %

Prishtinë | 19 Maj 2019 | 20:16 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, që u zhvilluan të dielën, votën e tyre e kanë hedhur 24 595 votues ose 42.42 %, e trupit votues, raporton Ekonomia Online.

Zubin Potoku kryeson me daljen me të lartë të votuesve me 50.74%, respektivisht 4,331 votues, pasuar nga Zveçani me 45.17%, respektivisht 4,169 votues, në Leposaviq kanë dalë 41.57% të votuesve, repsktivisht 7550 votues dhe në Mitrovicën e Veriut kanë votuar 8,545 persona, 38.74%.

Të gjitha vendvotimet janë mbyllur në orën 19:00.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka ka njoftuar se procesi zgjedhor është zhvilluar pa probleme.

“E shfrytëzoj rastin që në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të falënderoj komisionerët apo anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve për punën e mirë gjatë ditës së sotme si dhe i inkurajojmë që gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve t’i zbatojnë të gjitha procedurat e numërimit me qëllim që vullneti i qytetarëve të respektohet me përpikmëri”.

“Gjithashtu, falënderojmë edhe institucionet tjera, Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe misionin e OSBE-së në Kosovë për ndihmën e dhënë”.

“Për fund, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se nga ora 19:00 ka filluar të rrjedhë afati 24 orësh për paraqitje të ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me procesin e votimit të sotëm”.

Nga KQZ-ja kanë njoftuar se në orët në vijim do të njofojnë për rezultatet preliminare.

Për këto zgjedhje KQZ-ja ka akredituar 464 vëzhgues të zgjedhjeve të cilët përfaqësojnë dy parti politike, dy misione ndërkombëtare, një nga Komisioni Evropian, dy misione diplomatike, 12 ambasada, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, katër organizata joqeveritare vendore dhe 15 medie, raporton EO.

Gjithashtu KQZ-ja ka angazhuar 670 komisionerë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, raporton EO.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet për katër komunat veriore të Kosovës pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Të ngjashme