Krasniqi: Demarkacioni është projekt personal i Thaçit

Prishtinë | 19 Gus 2016 | 16:31 | Nga Fitore Zena Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje Frashër Krasniqi, në një prononcim për media, Demarkacionin me Malin e Zi e quajti “një projekt personal i Hashim Thaçit”. Sipas tij nëse ky projekt dështon atëherë Thaçit i humbet legjitimiteti i tij si kryetar i shtetit.

Ai ka theksuar se ai është në gjendje të shes krejt Kosovën, të falë krejt territorin e Kosovës për interesa të tij, pasi që siç tha ai, po qet kushte që nuk ekzistojnë.

“Thaçi duhet të sqarojë se pse nuk është bërë liberalizimi i vizave kur demarkacioni nuk ka qenë fare çështje, pse nuk është bërë ushtria e Kosovës  tash e 8  vjet, ai po i kushtëzon këto sepse demarkacioni është një projekt personal i Hashim Thaçit, i cili e ka nënshkruar ai vet dhe dështimi i këtij projekti nënkupton humbjen e legjitimitetit të tij si kryetar i shtetit”.

“Ne e kemi parë edhe në përgjimet e fundit që për interes personal Hashim Thaçi është në gjendje ta shes krejt Kosovën, ta fal krejt territorin e republikës tonë,  prandaj sot po qet kushte të cilat në fakt nuk ekzistojnë”, ka thënë Frashër Krasniqi.

Pas mesazhit publik që bëri presidenti Hashim Thaçi, pastaj edhe kryeministri Isa Mustafa që iu është bashkuar thirrjeve, drejtuar deputetëve të Kuvendit, për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Krasniqi tha se “çuditet se si kryeministri Isa Mustafa është bërë shërbëtor i Hashim Thaçit dhe po iu bën presion deputetëve të opozitës për ta votuar demarkacionin”.

“Demarkacioni është i lidhur me fatin e Hashimit Thaçit se ai e ka nënshkruar vet, ndërsa çuditem se si kryeministri Isa Mustafa është bërë shërbëtor i tij dhe me çdo kusht po mundohet t’iu bëj presion dhe t’i kërcënojë deputetët e opozitës”.

Zëdhënësi i Vetëvendosje Frashër Krasniqi u shpreh se kjo lëvizja do t’i kundërshtojë me çdo kusht këto marrëveshje, sepse siç tha ai, ka të bëjë me ardhmen e fëmijëve tanë, e territorit dhe e Republikës tonë.

I pyetur se a do të bashkëpunojnë me dy partitë tjera opozitare atë të AAK-së dhe NISMA për Kosovën për organizimin e protestës së një shtatorit, Krasniqi tha se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri iu ka bërë ftesë AAK-së dhe NISMA-së që të bëhen pjesë e protestës dhe se janë të interesuar të bashkëpunojnë me ta.

Ndërsa, për bashkëpunimin me Vetëvendosjen rreth organizimit të protestave kundër demarkacionit lideri i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ditë më parë ka deklaruar se me Vetëvendosjen i ndan vetëm mendimet e njëjta dhe nuk do të ketë më bashkëpunim në mes tyre.

 

 

 

 

 

Të ngjashme