Krasniqi e quan “Sui Generis” Gjykatën Speciale, kritikon ndërkombëtarët për qasjen ndaj Serbisë

Prishtinë | 15 Dhj 2019 | 08:12 | Nga Pranvera Behluli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, kërkon nga Bashkimi Evropian që ta ndryshojë qasjen ndaj Serbisë pasi kjo e fundit, sipas tij, nuk ka gatishmëri për të arritur marrëveshje dhe marrëdhënie të reja me Kosovën.

Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online tha se Serbia duhet të ndëshkohet për politikën që e ka ndjekur, politikën e gjenocidit.

“Problemi nuk është Kosova, problemi është Serbia me mbrojtjen në mënyrë fanatike të politikave që i ka prodhuar në të kaluarën Serbia ku kanë qenë zyrtarë të lartë edhe shumica e zyrtarëve të tanishëm dhe ato kanë qenë politika të gjenocidit të cilat kanë mbetur pa ndëshkuar jo vetëm nga pala e dy vendeve, por kanë mbetur pa ndëshkuar edhe në rrafshin evropian. Ndëshkimi i Serbisë është dashur të bëhet para sa viteve për gjenocidin që ka shkaktuar në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci. Duhet një qasje tjetër e Bashkimit Evropian mbase edhe e vendeve perëndimore për ta detyruar Serbinë që të ndryshon qasje ndaj politikave që i zhvillon në raport me Kosovës dhe shqiptarët”, ka thënë Krasniqi për Ekonomia Online.

“Qasja e Kosovës duhet të jetë e qartë, unë mendoj që jo vetëm e Kosovës, problemi se çfarë politike ishte politika e Beogradit ndaj shqiptarëve, ndaj Bosnjës dhe ndaj Kroacisë, mendoj që është politikë e gjenocidit dhe si e tillë duhet të vlerësohet dhe Serbia duhet të ndëshkohet për këtë politikë që e ka ndjekur. Mendoj që faza e parë dhe më kryesorja nuk është vetëm e shqiptarëve, mendoj që është edhe komuniteti ndërkombëtar i cili ka intervenuar për shkak të gjenocidit që ka ushtruar Serbia në Kosovë”.

Lidhur me dialogun me Serbinë, Krasniqi tha se duhet të krijohen kushte për një dialog të mirfilltë. Ai nuk e sheh problemeni të rifilimi apo jo i dialogut, por thotë se duhet një dialog që jep rezultate dhe që përmbyllë konfliktin e Kosovës me Serbinë.

“Nuk është problemi do të fillon apo s’do të fillon dialogu me Serbinë. Unë mendoj që duhet të krijohen kushte për një dialog të mirëfilltë, për një dialog që jep rezultate, për një dialog që përmbyllë konfliktin e Kosovës me Serbinë, një dialog që krijon një marrëveshje të qëndrueshme ndërmjet këtyre vendeve dhe dy popujve dhe hap perspektivën e zhvillimit edhe për njërën palë edhe për palën tjetër”.

“Unë duke e përcjelllur frymën e debatit, deklarimet e zyrtarëve më të lartë të shtetit të Serbisë dhe Presidentit të saj, mund të them që nuk duhet të ngutemi as ne, as ndërkombëtarët te çështja e dialogut apo bisedimeve për faktin që nuk e shoh klimën politike që është qe sa vite në Beograd të gatshëm për të zhvilluar dialog dhe për të përmbyllur një histori të dhimbshme dhe për të krijuar një marrëveshje të re dhe marrëdhënie të reja mes Kosovës dhe Serbisë”.

E duke folur për ftesat e Gjykatës Speciale, thotë se kjo Gjykatë është “Sui Generis” për shkakun se në praktikën ndërkombëtare, sic tha ai, nuk ka ndodh që të ketë një Gjyaktë për ndjekje një etnike.

“Nëse diçka në botë ka “Sui Generis” kjo gjykatë është “Sui Generis”, po e them këtë duke pasë parasysh praktikën ndërkombëtare të krijimit të Gjykatave të ngjashme, një Gjykatë e tillë është bërë në Romë, por një Gjykatë e tillë për ndjekje një etnike nuk e di që ka ekzistuar ndonjëherë në praktikën e drejtësisë ndërkombëtare”, tha Krasniqi për Ekonomia Online.

Ndërkaq, kur pyetet se nëse kësaj Gjykatë do të duhej t’i ndërpritet mandati, Krasniqi thotë se ajo është dashur të kundërshtohet me kohë derisa krijimin e kësaj Gjykate e lidh me një varg të një kënge popullore.

“E kemi një varg të një kënge popullore që e thotë “Kujtoju punës pa u bë se kur të bëhet mos bë zë”, Gjykata është dashur të kundërshtohet me kohë, unë kam qenë njëri nga ata që e kam kundërshtuar në të gjitha takimet që i kam pasur me ndërkombëtarët kur është biseduar për këtë çështje, megjithatë Kuvendi i Kosovës e ka formuar një Gjykatë të tillë dhe tash duhet t’i presim rezultatet e saj edhepse vonesat që po bëhen nga kjo Gjykatë për mua është dëshmia më e mirë se ata nuk kanë dëshmi për të ngritur aktakuza dhe gjitha këto ftesa i bëjnë në shërbim të asaj që të përpiqen që dikujt t’ia ngrisin një aktakuzë”, tha Krasniqi për Ekonomia Online.

Ai tha se komuniteti ndërkombëtarë e ka pasë një Tribunal, Tribunalin e Hagës për t’i ndjekur krimet që janë kryer në hapësirat e Ish-Jugosllavisë dhe përderisa komuniteti ndërkombëtar është i bindur se dikush ka kryer krime të luftës atëherë është dashur ta ruaj Tribunalin e Hagës dhe atje të përgjigjen kriminelët e luftës.

Të ngjashme