Krasniqi e siguron Haradinajn: Do të jesh Kryeministër deri në fund të mandatit

Prishtinë | 16 Jan 2019 | 12:48 | Nga Ekonomia Online

PDK-ja thotë se do ta mbajë Haradinajn në krye të ekzekutivit deri në fund të mandatit sipas marrëveshjes. Nënkryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se nuk e kanë diskutuar asnjëherë mundësinë rrëzimit të Haradinajt, duke i cilësuar deklarimet e mbrëmshme të Lutfi Hazirit në T7 si gënjeshtra.

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, thotë se Lutfi Haziri ka gënjyer kur ka thënë se partia e Veselit i ka bërë ofertë LDK-së, për rrëzimin e Ramush Haradinajt nga pushteti.

Në një prononcim për Gazetën Express, Krasniqi ka thënë se nuk kanë diskutuar asnjëherë me askënd prej LDK-së lidhur me këtë çështje.

“Lutfi Haziri ka gënjyer. Asnjëherë, askush prej PDK-së nuk ka biseduar me askënd prej LDK-së për çështje të Qeverisë, e aq më pak për ndërrimin e kryeministrit Haradinaj”, ka thënë nënkryetari i PDK-së.

Ai thotë se PDK-ja është e përkushtuar që Haradinajn ta mbajnë në krye të ekzekutivit deri në fund të mandatit qeverisë.

“Ne jemi udhëheqës të koalicionit qeverisës dhe besimin që ia kemi dhënë Haradinajt për ta udhëhequr Qeverinë aktuale do ta mbajmë deri në fund të mandatit, në pajtim me programin qeverisës dhe marrëveshjen e koalicionit”, ka përfunduar Krasniqi.

Mbrëmë në emisionin Pressing të T7, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri kishte thënë se Partia Demokratike e Kosovës i kishte bërë një ofertë LDK-së para disa muajsh që t’i organizonte një mocion mosbesimi qeverisë për rrëzimin e Ramush Haradinajnt nga kryeministri.

Megjithatë Haziri ka potencuar se LDK-ja nuk ka pranuar që të futet në një valle të tillë.

Ndërkohë një shkrim i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës, se LDK-ja  do të bëhet pjesë e dialogut në rast të ri konfigurimit të Qeverisë, ka ngjallur një debat për afrimin e kësaj partie me pushtetin dhe dëshirën për t’u bërë pjesë e kësaj Qeverie.

Ramush Haradinaj ndërkohë dje në një konferencë për media ka thënë se Mustafa duhet ta sqarojë më mirë se çfarë ka dashur të thotë me atë.

Sa i përket futjes së LDK-së në këtë Qeveri, Haradinaj ka thënë se mbeten të hapur, megjithatë ka theksuar se duhet të bisedojë me partnerët e koalicionit për një gjë të tillë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme