Krasniqi flet për pikën që Hoti ia largoi nga rendi i ditës në mbledhjen e Qeverisë

Prishtinë | 13 Tet 2020 | 07:48 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Javën e kaluar në mbledhjen e 34-të të qeverisë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi kishte lëshuar mbledhjen e qeverisë, për arsye të heqjes nga rendi i ditës së vendimit për dhënien e statusit investitor strategjik për “Kosmonte Foods”.

Mirëpo ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se nuk e din arsyen pse u largua ajo pikë e rendit të ditës.

Krasniqi po e konsideron si një mosmarrëveshje të kryeministrit dhe të akterëve të tjerë, mirëpo ai thotë që sipas ligjit për investimet strategjike gjithçka ka qenë në rregull.

“Sigurisht që më mirë do të ishte me pyet kryeministrin, por unë konstatoj që as edhe një element më i vogël nuk ka qenë pse të hiqet nga rendi i ditës, sepse ka dy muaj që pret ajo pikë e rendit të ditës, por jo vetëm por unë kam edhe tri pika të tjera që presin për tu futur në rend të ditës, dhe sipas rregullave brenda javës. Nëse hetohet që një pikë e rendit ditës i ardhur nga një ministër konstatohet që nuk i ka përmbushur kriteret dhe është jashtë normave ligjore atëherë i kthehet ministrit në fjalë për plotësim apo interpretim dhe kështu shkon procedura, mirëpo jo të shkon dy muaj pa asnjë vërejtje dhe të fundit pas dy muaj në rend të ditës dhe të hiqet përsëri gjëja se ka kërkuar një ministër dhe nuk ka qenë fare kompetencë e ministrit të financave fare, por ka qenë zbatimi i ligjit ku ka pasur edhe interpretime ligjore, dhe unë nuk e di arsyen pse është larguar prej rendit të ditës”.

“Unë konsideroj që rregullisht kemi kontakte, po ashtu edhe përmes rrjeteve sociale dhe konsultohemi për çdo temë, mirëpo kjo e fundit që doli për shkak të rendit të ditës, të heqjes së një pike nga rendi i ditës, unë konsideroj që ka qenë një mosmarrëveshje edhe te kryeministri por edhe te akterët tjerë sepse, sipas ligjit për investime strategjike kanë shkuar në rregull dhe nuk kishte ndonjë arsye për ta larguar nga rendi i ditës,kjo ka fut ndoshta pak sa i përket raportit të me kryeministrin”, ka thënë ai për EO.

Ministri Kraniqi ka folur edhe për qëndrueshmërinë e koalicionit qeverisës. Ai është shprehur se koalicion qeverisës është stabil dhe se qeveria do ta përfundoj mandatin.

“Tani për tani është gjithçka stabile dhe mendoj që kjo qeveri do të shkojë deri në fund të mandatit. Sa i përket koalicionit unë konstatoj që është stabil, përkundër faktit që vetëm një subjekt në qeveri mund të ketë mosmarrëveshje ndërmjet ministrave, mirëpo unë konsideroj se gjithçka është stabile edhe pse kemi shpeshherë konsulta apo reagenca ndoshta për çështje të caktuara, sepse secili ministër kërkon edhe bënë përpjekje që të del me punë më mirë dhe kështu që është një lloj gare dhe pastaj varet prej kryeministrit se si e bënë rendin”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme