Krasniqi ka takuar udhëheqësit e Iniciativës së bashkuar të partive që garojnë së bashku në Mitrovicën e Veriut

Prishtinë | 06 Sht 2021 | 18:19 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot në PDK, kandidatët e bashkuar në Iniciativën Qytetare “Mitrovica” që përbëhet nga PDK, VV, AKR, VAKAT dhe shoqëria civile.

Lideri i opozitës, ka shkruar në faqen e tij në Facebook se vota e qytetarëve në Mitrovicë të Veriut për këtë listë të përbashkët, është votë për që qytetarët të vazhdojnë të jetojnë në shtëpitë e veta, në trojet e veta, në shtetin e vet.

Deklarata e plotë e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi:

Bashkimi i shqiptarëve, boshnjakëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, pa dallime etnike e partiake, për të garuar të bashkuar e pa flamuj partiak në Mitrovicë të Veriut, është shembull i jashtëzakonshëm i unitetit karshi nevojave të qytetarëve.

Sot, në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, i takova për të diskutuar për përgatitjet e deritashme që kanë bërë për zgjedhjet e 17 tetorit, kandidatët e bashkuar në Iniciativën Qytetare “Mitrovica”.

Gjatë diskutimit të përbashkët me Erden Atiq, kandidat për kryetar komune që vjen nga LVV, Skender Sadiku, bartës i listës nga shoqëria civile dhe kandidatët për Kuvendin Komunal, Florent Azemi nga PDK, Petrit Miftari nga shoqëria civile, Nedzat Ugljanin nga VAKAT dhe Betim Osmani nga AKR, diskutuam për sfidat me të cilat po ballafaqohen dhe nevojën e bashkëpunimit të tyre për përfaqësim dinjitoz të qytetarëve në këtë komunë.

Vota e qytetarëve të Mitrovicës së Veriut për këtë listë të përbashkët, është votë për një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë atje. Është votë që qytetarët e veriut të vendit të vazhdojnë të jetojnë në shtëpitë e veta, në trojet e veta, në shtetin e vet.

Të ngjashme