Krasniqi: Kushtetuesja mund ta dërgojë në Prokurori rastin nëse nuk zbatohet aktgjykimi i saj

Prishtinë | 25 Jan 2021 | 13:21 | Nga Përparim Bublaku Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjykata Kushtetuese mund të nxjerr aktvendim në rast se aktgjykimi i saj për moscertifikim të kandidatëve  të cilët janë të dënuar në tri vjetët e fundit nuk respektohet. Madje sipas rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese rasti mund të shkojë edhe në Prokurorinë e Shtetit, raporton Ekonomia Online.

Albert Krasniqi menaxher i programeve në Demokraci Plus, tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të obligueshme për tu zbatuar nga individ,  institucione e zyrtarë shtetërorë.

Ai në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se kishte tendenca në mbledhjen e KQZ-së që mos të respektohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, përmes të cilit i mohohet e drejta kandidimit për deputetë ç’do kujt që në tri vjetët e fundit është i dënuar  për vepra penale.

“Në rast se ndodh që mos të respektohet ky aktgjykim me rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese parashihet që ajo të bëjë monitorimin e zbatimit dhe në rast që sheh se s’po zbatohet, atëherë nxjerr një aktvendim përmes të cilit bëhet më dije që nuk është zbatuar vendimi dhe të njëjtin e publikon edhe në gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës,  po ashtu informohet edhe Prokurori i Shtetit për mos zbatimin e vendimit për shkak se kjo konsiderohet edhe si një vepër penale, dhe aty mund të merren edhe masa të tjera nga Prokuroria”, ka thënë Krasniqi.

Ai vlerëson se mosrespektimi i aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, është mosrespektim i Kushtetutës dhe nëse ndodh një gjë e tillë, sipas tij, rrezikojmë të zhytemi në anarki.

“Mos respektimi i këtyre aktgjykimeve është mosrespektim i Kushtetutës dhe zbatimi i Kushtetutës është një obligim për të gjithë personat për të gjitha institucionet, zyrtarët shtetërorë dhe kësaj nuk mund t’i iket. Në të kundërtën rrezikojmë të zhytemi në anarki ku secili zbaton vendime të cilat i pëlqejnë dhe jo ato të cilat nuk i pëlqejnë. Mos zbatimi i tyre do t’i qojë në pasoja  të gjithë ata persona të cilët nuk i binden urdhrit të Gjykatës”, ka thënë Krasniqi.

KQZ-ja në mbledhjen e saj ku në rend dite ka qenë certifikimi i listës së kandidatëve për deputetë, në një mbledhje të tensionuar s’ka certifikuar listat e Vetëvendosjes, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, pasi aty ishin të përfshirë përsonat që kanë dënime në tri vjetët e fundit.

Pas këtij vendimi, partitë kanë paraqitur ankesat në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili të martën të dalë me një vendim.

Por, Krasniqi, pret që PZAP-ja të marr vendim të pjesshme për certifikim të këtyre listave, duke certifikuar ata kandidatë që s’kanë probleme  me ligjin.

“Unë po pres që vendimi i PZAP-së të aprovoj pjesërisht kërkesat e ankimuesëve që do të thotë tu lejoj certifikimin, tu mundësoj kandidatëve të cilët s’janë të dënuar për vepra penale në tri vjetët e fundit të përfshirë në listë dhe vetëm ata kandidatë të cilët kanë vepra të mos mund të certifikohen”, ka thënë Krasniqi.

Vendimi i KQZ-së, për moscertifikim të kandidatëve të dënuar në tri vitet e fundit është kundërshtuar nga subjektet politike. Në mesin e kandidatëve që s’është certifikuar është edhe kreu i Vetëvendosjes, dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në një përgjigje ndaj kërkesës së KGJZ-së, ka konstatuar se 47 kandidatë për deputetë kanë dënime në tri vjetët e fundit.

Të ngjashme