Krasniqi: Kushtetuta e thotë qartë si behët emërimi i anëtarëve në KQZ

Prishtinë | 26 Mar 2019 | 16:42 | Nga Ekonomia Online

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka komentuar zhvillimet e fundit rreth emërimit të anëtarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Sipas Krasniqit, Kushtetuta e Kosovës e thotë shumë qartë në paragrafin katër se si behët emërimi i anëtarëve.

Statusi i plotë i Krasniqit:

PËRPJEKJA PËR TË UZURPUAR KOMISIONIN QENDROR ZGJEDHOR ËSHTË ANTIKUSHTETUES

Neni 139 i Kushtetutës së Kosovës është i rezervuar për Komisionin Qendror Zgjedhor dhe i ka katër paragrafë.

Në paragrafin e parë thuhet:

“Komisioni Qendror Zgjedhor është organ i përhershëm që përgatit mbikëqyrë, drejton dhe verifikon të gjithë veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve e referendume dhe shpall rezultatet e tyre”.

Kur lexohet ky paragraf i cili KQZ-së i ka dhënë mandat të përhershëm, kush dha të drejtën Kryetares së KQZ-së që ketë organ të përhershëm ta bëjë jo funksional, në kohën kur anëtarët e KQZ marrin paga nga Buxheti i shtetit? Për ketë dikush do të duhej të përgjigjet.

Sa i përket çështjes shumë të debatueshme sesa anëtarë duhet t’i ketë e kë përfaqësojnë ata në Kuvend, Kushtetuta e jonë e thotë shumë qartë në paragrafin katër i cili thotë:

“Gjashtë (6) anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara. Nëse në Kuvend janë më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë. (…)”.

Sipas kësaj dispozite kushtetuese gjërat janë më shumë sesa të qarta, paqartësia është vetëm në kokat e atyre që po dëshirojnë ta grabisin atë që nuk ju takon. Kjo të çon në përfundimin se grabitja po bëhet praktikë e keqe në çdo segment të jetës sonë shoqërore. Kjo praktikë nuk i duhet askujt.

Kushdo që e përcjell Kuvendin e sheh se Kryetari apo Nënkryetari që drejtojnë seancat e Kuvendit, ATA UA JAPIN FJALËN QË TË FLASIN në emër të GP të shqiptarëve gjashtë Kryetarëve të Grupeve që përfaqësohen në Kuvend.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme