Krasniqi: Lëvizja e rusëve në Kosovë mund të rrezikojë të sotmen dhe të ardhmen e kombit shqiptar

Prishtinë | 28 Dhj 2019 | 11:55 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka thënë se lëvizja e rusëve në Kosovë nuk sjellë progres e siguri kombëtare por pasiguri, prapambeturi e primitivizëm, që sipas tij mund të rrezikojnë të sotmen dhe të ardhmen e kombit shqiptar.

Ai thotë se shqetësuese është edhe mosfunksionimi i institucioneve vitale të shtetit.

“Mosfunksionimi i institucioneve më vitale të shtetit, paaftësia e drejtuesve të shtetit për t’i funksionalizuar institucionet kushtetuese përgjegjëse për sigurinë kombëtare e shtetërore, për t’i mbrojtur vlerat kombëtare, kulturore, arsimore, shkencore, zhvillimore dhe sigurinë kombëtare nga çdo armik i kombit dhe i shtetit ngado që mund të vijnë ata janë shqetësuese për mua”, ka thënë ai.

Krasniqi thotë se qeveritarët nuk mund të punojnë edhe për veten edhe për shtetin.

“Një proverb thotë: ‘Ja dynjanë ja ahiretin, të dyja nuk çohen’! E qeveritarët nuk mund të punojnë edhe për shtetin edhe për veten! Gjatë këtyre viteve i kemi parë të bëjnë shumë për vete e tepër pak për shtetin. Po të mendonim e punonim shumë për shtetin e pak për veten, do të flisnim më pak për rreziqet që i kanosen kombit e shtetit! Institucionet kushtetuese do ta garantonin sigurinë”, shkruan ai.

Sipas tij, sikur gjatë këtyre viteve të lirisë e të pavarësisë të investonin në autostradën e arsimit e të edukimit, të mbrojtjes e të sigurisë kombëtare, e pak në autostradat e asfaltit, nuk do të flisnim për rrezikun serb, rus, grek apo ndonjë tjetër.

“Secili njeri e ka të drejtën të punojë e të pasurohet për vete, për familjen e tij, për gardën e tij të mbrojtjes personale, me investimet e tij, nga biznesi i tij, por jo me parat e buxhetit të shtetit, me parat e publikut të varfër. Me taksapaguesit, të cilët të vetmit janë të ndërgjegjshëm dhe me djersën e tyre po e mbajnë këtë copë shtet”, thotë Krasniqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme