Krasniqi: Pavarësisht zhgënjimit në liberalizimin e vizave, Kosova s’mund ta përcaktojë akterin ndërmjetësues për dialog

Prishtinë | 04 Nën 2018 | 16:14 | Nga Ekonomia Online

Nëse liberalizimi i vizave për Kosovën nuk do të vinte për një periudhë afatshkurtër siç raportohet se ka gjasa të mos ndodhë as në 2019-të, atëherë do të ishte një zhgënjim i madh nga ana e Bashkimit Europian në raport me qytetarët e Kosovës, vlerëson Jeta Krasniqi, njohëse e procesit të dialogut  nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Në prononcimin e saj për klankosova.tv, Jeta Krasniqi konsideron se është mëse thelbësore të rritet bashkëpunimi me Bashkimin Europian dhe lobimi tek shtetet anëtare është i domosdoshëm.

”Politikanët dhe përfaqësuesit e institucioneve vendore duhet të vazhdojnë bashkëpunimin me BE-në sepse Kosova mbi të gjitha nuk ka alternativë tjetër. Është thelbësore të rritet bashkëpunimi dhe të binden përfaqesuesit e shteteve anëtare se 1.7 milionë kosovarë nuk mund të jenë problem për BE-në”.

”E ky zhgenjim do t’i kushtonte shume qytetarëve, të cilët kanë të drejtë ta shfaqin protestën edhe nëpërmjet instrumenteve demokratike”.

Duke iu referuar deklaratave të fundit të Zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, se Kosova s’mund t’ja besojë dialogun Bashkimit Europian nëse dështon me liberalizimin e vizave, ajo thotë se Kosova nuk është në gjendje të përcaktojë akterin ndërmjetësues të dialogut pavarësisht zhgënjimit që mund të ekzistojë nga çështja e liberalizimit të vizave, njofton Klan Kosova.

”Duhet të punohet më shumë në këtë drejtim dhe jo të jepen kërcënime nga distanca. Pas SHBA-së, BE është aleati më i madh i Kosovës, derisa Brukseli është ndermjetes i dialogut edhe me bekimin e Washingtonit zyrtar”.

Më tej Jeta Krasniqi nga KDI vlerëson se lëvizja e lirë do të hapë shtigje shumë të qarta në aspektin kulturor, politik, ekonomik e social per kosovaret, të cilat padrejtësisht janë të izoluar.

Ajo thotë se përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë duhet të jenë në krye të detyrës së tyre për të lobuar në drejtim të duhur, por thekson se edhe Bashkimi Europian duhet ta kuptojë që për shkak të mosangazhimit të politikanëve s’duhet bartur pasojat populli i Kosovës.

”Duke garantuar vendet anëtare se kosovarët nuk janë problem për BE-në, ata duhet të bëjnë çmos që të paraqesin rezultate konkrete për sa i takon sundimit të ligjit. Edhe BE duhet ta ketë në plan të pare se për shkak të paaftesisë së  politikanëve, nuk duhet ndëshkuar një popull i tërë, i cili padyshim se është 100 për qind proeuropian”.

Ndërsa ka folur për klankosova.tv,  rreth gjendjes së krijuar sa i përket raportimeve se liberalizimi mund të mos ndodhë as në vitin 2019-të, ajo thotë se tani gjithcka që mund të bëhet është të shpresohet në vullnetin e mirë të shteteve anëtare, të cilëve iu mbetet të vendosin për fatin e qytetarëve të Kosovës sepse Kosova nuk ka alternative tjetër përveç BE-së.

Aktivistja kosovare e shoqërisë civile nga radhët Institutit Demokratik të Kosovës, më tej thekson se fajtorë janë politikanët kosovarë sa i përket afatit të liberalizimit pasi kanë dhënë data gjatë gjithë këtyre viteve, njofton Klan Kosova.

”Një droje e tille ekziston pavarësisht se askush me saktësi nuk mund të jep datë të saktë se kur kosovarëve do tu hiqen vizat. Ky është edhe gabimi i vazhdueshëm i poltikanëve vendorë sepse kanë dhënë data për gjithë këto vite, duke krijuar pritshmëri të mëdha, derisa lajmi i mirë nuk ka ardhur ende”.

Veç tjerash ajo potencon se Kosova i ka plotesuar kushtet per liberalizim, ndonese lufta ndaj krimit te organizuar dhe korrupsionit mbetet ende sfide sipas kritereve te Bashkimit Europian.

Megjithatë ajo thotë se në këtë aspekt Kosova është privuar padrejtësisht sepse nuk është shtet që ka çaluar në raport me vendet e tjera të rajonit të cilat ndonëse me probleme të natyres së njëjtë e gezojnë të drejtën e lëvizjes së lirë, njofton Klan Kosova.

”Zhvillim përcaktues për Kosovën mbeten zgjedhjet në Parlamentin Europian, të cilat mund t’i japin një fuqi të shtuar të djathtës në Europë, e cila duket me rigjide për sa i takon frikës ndaj një vale të re të imigracionit”.

Prandaj sipas Jeta Krasniqit është përcaktuese që Bashkimi Europian deri në këto zgjedhje të levizë në drejtim të Kosovës, ndonëse ka shtete me rol të rëndësishëm që po vazhdojne të jenë skeptike për sa i takon zhbllokimit të shpejtë si ky proces, rrugëtim në të cilin përfshihet Holanda, Danimarka e Franca, njofton Klan Kosova.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme