Krasniqi: Produktet vendëse me standarde evropiane, Serbia e ka humbur tregun e Kosovës

Prishtinë | 11 Kor 2020 | 08:30 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me vendosjen e taksës, e më pastaj reciprocitetit, që Serbia e ka humbur tregun në Kosovë, ku vërehet rënie e importeve të mallrave nga ky shtet, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi deklaroi se është rritur edhe vetëdijesimi i qytetarëve me vendosjen e flamujve nëpër markete.

“Është e vërtetë se në bazë të statistikave që ne i posedojmë. Efekti i taksës ka qenë jashtëzakonisht i madh, duke pasur parasysh se në të kaluarën ne kemi qenë thuajse mbi 60 për qind të produkteve ushqimore të importuara nga Serbia”.

“Mirëpo pas vendosjes së taksë dhe vendosjes së flamujve nëpër markete, sigurisht se ka ndikuar te vetëdijesimi i qytetarëve, kështu që ne edhe pas heqjes së taksës ndaj Serbisë, nëse e krahasojmë periudhat sa ka qenë pa u vendosur taksa, vërehet dukshëm se ka ulje të importit të produkteve nga Serbia”, tha Krasniqi. 

Numri një në Ministri të Tregtisë, për Ekonomia Online, tha se shumë operatorë ekonomik kanë importuar nga Serbia, gjatë kohës sa ishte teksa kanë gjetur kanale tjera të furnizimit dhe në këtë formë.

Krasniqi thotë se produktet vendëse janë me standarde evropiane.

“Kjo ka ndikuar edhe në afirmimin e produktit të prodhuar në vendin tonë, të cilat nuk kanë pasur ndoshta një plasman aq të kënaqshëm në Kosovë. Nga kjo periudhë kapacitet e prodhuesve tonë vendor janë rritur dhe janë shtuar, kështu që kanë arritur ta furnizojnë Kosovën dhe me këtë rast ne mund të them plotësisht me seriozitet që produktet të cilat prodhohen në Kosovë, janë me standarde evropiane me të cilat ne mburremi dhe ne si institucione sigurisht që do të vazhdojmë t’i mbështesim përmes subvencioneve, përmes mbështetjes së eksportit të tyre në vendet tjera përmes organizimit të panaireve të ndryshme”, tha ai.

Krasniqi është zotuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojnë t’i mbështesin prodhuesit vendws, por që thotë se fillimisht do të bëhet rimëkëmbja ekonomike, e shkaktuar nga pandemia.

“Sigurisht që kemi thënë që fokusi ynë kryesor do të jetë mbështetja e prodhuesve vendor, mbrojtja e konsumatorit dhe mbështetja e eksportit. Me këtë rast Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në këtë kohë të pandemisë”.

“…fokus kryesor e ka rimëkëmbjen ekonomike dhe me këtë rast planifikojmë që t’i mbështesim përmes subvencioneve dhe granteve dhe në këtë rast të gjitha ato investime të cilat kanë qenë të orientuara për diçka tjetër, ne i kemi orientuar në fokus të mbështetjes së bizneseve”, u shpreh Krasniqi.

Të ngjashme