Krasniqi: Subvencionet për bujqit, forma ideale për njerëzit që duan të vjedhin

Prishtinë | 24 Shk 2021 | 18:51 | Nga Ekonomia Online

Nga aksioni policor i sotëm në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe në disa komuna lidhur me dyshimet për ryshfet në subvencionet bujqësore, u arrestuan dhjetë zyrtarë shtetërorë e dy civilë si dhe u sekuestruan rreth 400 mijë euro.

Gazetari i Grupit KOHA, Besnik Krasniqi, thotë se shuma e kapur është shumë e vogël në krahasim me shumat marramendëse që janë marrë në formë grantesh e subvencionesh vetëm vitin e kaluar.

“Pavarësisht ndërrimit të qeverive, duke qenë në ambient ku lehtë mund të pasurohesh, njerëzit nuk janë imunë për t’i rezistuar mundësive për tu pasuruar në kurriz të bujqve dhe tash kemi këtë aksion që ka targetuar këtë strukturë të re të menaxhimit me grante. Kemi pa sot që diku 400 mijë euro janë marrë gjatë aksionit por vlera e granteve dhe subvencione në vit arrin rreth 50 milionë. Kjo mund të jetë shumë fare e vogël që është kapur në krahasim me shumat marramendëse që janë marrë vetëm vitin e kaluar”, tha ai në Express Intervistë.

Krasniqi tha se edhe në formën se si bujqit i marrin subvencionet është duke dhënë gjysmën e tyre që fillimisht të përfitojë nga shumat e ndara. Ai tregon formën se si keqpërdoren këto grante nga më pas, një inspektor.

“Rrjeti është e shtrirë dhe pa qenë e shtrirë nuk mund të funksionojë deri në këtë shkallë. Nëse një bujk i duhet ta bëjë projektin vetëm me gjysmën e shumës së ndarë, sigurisht se nuk mund ta përmbushë atë, për pasojë nëse nuk realizon projektin atëherë në proces mund të tërhiqen paratë. Këtu hyjnë në lojë inspektorët dhe ata që inspektojnë shkallën e realizimit të projekteve, në shumë raste bashkëpunojnë me njerëz brenda dhe inspektori evidenton diçka që nuk është në realitet, si punë të kryer”, tha Krasniqi.

KOHA që para tri vitesh iu është qasur problematikës me grantet dhe për to ka arritur ta realizojë një hulumtim nga ku ka dalë se së paku 3 milionë euro grante janë dhënë jashtëligjshëm për njerëz të afërm me politikën nga Ministria e Bujqësisë. Një aktakuzë ishte ngritur, por askush nuk është arrestuar.

Krasniqi ka treguar pse kjo kategori po është më lehtë e manipulueshme nga akterë të caktuar për të përfituar me grante e subvencione.

“Përgjithësisht përbën ambient ideal për njerëz që duan të vjedhin nga kjo skema e ndarjes së granteve e subvencioneve, meqë bujqit janë të papunë, kanë shkollim mesatarisht më të ulët se shtresa tjetër e popullatës dhe është kthyer normë kjo mënyra për të fituar projekte. Kemi rreth 50 milionë euro në vit që jepen në këtë formë. Bujqit kjo i bën më lehtë të ekspozuar dhe të manipulueshëm”, tha ai.

Kthimin e interesimit tek bujqit, Krasniqi e sheh të lidhur me buxhetin që i ndahet Ministrisë së Bujqësisë. Rritja e buxhetit, grantet e subvencionet ia kanë rritur “apetitin” figurave të ndryshme për përfitime personale.

“Interesimi shkon në proporcion me buxhetin që është nda për këtë ministri, jo me interesin që të zhvillohet bujqësia në Kosovë. Deri në vitin 2009 ministrinë e kanë drejtuar njerëz që i kanë takuar subjekteve nga komunitetet pakicë dhe në këtë kohë kthehet vëmendja kah bujqësia dhe vijmë në një kohë ku shkalla e fondeve si grante e subvencioneve është 50 milionë për një vit. Duke qenë kështu rriten apetitet. Kemi pa pothuajse gjatë gjithë kohës njerëz kyç të politikës që udhëheqin këtë ministri dhe kemi pa biznese të lidhura me politikën që orientohen nga bujqësia dhe janë përfitues të mëdhenj të skemave”.

Sipas Krasniqit, kjo është skema që më së lehti mund të zbulohet në këtë kategori, pasi thotë se ka shumë dëshmitarë që mund ta dëshmojnë dukurinë.

“Është skema që më së lehti që mund të zbulohet sepse ka shumë dëshmitarë, dukuria ka qenë shumë e përhapur dhe do jetë e lehtë të dëshmohet se këta janë të përfshirë por lehtë do jetë të shkohet edhe te krerët e partive politike dhe eksponentë politikë”, përfundoi Krasniqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme