Krasniqi: Të qenit gjatë në pushtet ka kosto politike

Prishtinë | 24 Sht 2020 | 20:56 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur për pasojat politike për një parti që qëndron në pushtet për një kohë të gjatë.

“Të qenit gjatë në pushtet e ka një kosto politike. Ndonëse mund të ketë vlerësuar që kohëve të fundit nuk janë shumë origjinalë dhe që në të vërtetë është një përsëritje e shumë vite që flasin për pushtetin si mundësi për të krijuar klientelizëm, për të krijuar favore, pavarësisht kësaj, është e pamundshme që pushteti të shihet prej atij prizmi, sepse ne po flasim për një milion e tetëqind mijë qytetarë dhe për një listë zgjedhore që i afrohet këtij numri dhe normalisht që asnjë parti serioze, asnjë opinionist serioz nuk do të duhej ta shihte përmes prizmit të klientelës, sepse është e pamundshme që t’i shohësh nga ky filter krejt qytetarët ose krejt ata që janë në listën votuese”, ka thënë ai.

Si ka vazhduar Krasniqi, kostoja politike e tërë kësaj, me gjithë “sukseset dhe rezultatet, është e madhe, sepse rëndom në një vend që nuk i është shmangur transicionit për një periudhë të gjatë, pritjet dhe kërkesat janë shumë të mëdha”.

Pritjet e tilla, si ka vazhduar Krasniqi, janë shumë legjitime, por që mundësitë për t’i realizuar janë shumë problematike.

“Ndonjëherë janë edhe fushatat zgjedhore që na entuziazmojnë më shumë sesa që duhet dhe në të cilën e ndikojnë partia partinë në kuptimin e ofertës zgjedhore dhe premtimeve elektorale e të cilat pastaj nuk e ka mundësinë as financiare dhe as në kuptimin administrativ për t’i realizuar të plota”, ka thënë ai.

Si ka vazhduar Krasniqi, në raste të tilla, edhe nëse i realizon 70 apo 80 për qind të premtimeve, “gjithnjë do të mbetesh i atakuar”.

“Dhe po ashtu ka pasur edhe probleme. Unë jam i bindur se çdo analizë objektive e qeverisjes së PDK-së, duhet ta ndajmë së paku në dy pjesë: në pjesën kur qeveria e PDK-së është udhëhequr nga PDK-ja dhe në pjesën ku PDK-ja ka qenë pjesë e bashkëqeverisjes”, ka thënë ai.

“Dhe ne e kemi udhëhequr qeverinë në vitet 2008-2014, ndërsa 2015-2019 kemi qenë pjesë e qeverisë. Por, realisht drejtimin qeverisës dhe të vendimmarrjes ia jep kryeministri. Dhe ne fillimisht patëm marrëveshje me LDK-në, duke e bërë Isa Mustafën kryeministër dhe më pas me AAK-në dhe Nismën duke e bërë Ramush Haradinajn kryeministër”, ka thënë ai.

I pyetur nëse mendon që kjo gjë kishte qenë gabim, Krasniqi është përgjigjur se “nuk është prej atyre që ‘post-festum’ bën vajtimin e asaj çfarë ka ndodhur”.

Arsyeja, si ka thënë ai është se këto vendime janë marrë përmes një analize.

“Por rezultati absolutisht nuk ndodhi pozitiv në finale”, ka thënë ai.

Të ngjashme