Krasniqi ua uron Ditën e Çlirimit ish-krerëve të UÇK-së në Hagë: Kjo na rikujton çmimin e lartë të lirisë

Prishtinë | 12 Qer 2022 | 13:24 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në 23-vjetorin e çlirimit të Kosovës ka thënë se 12 qershori shënon fundin e robërisë e vuajtjeve shekullore të popullit tonë.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se 23 vjet më parë për Kosovën ka nisur një kohë e re e lirisë, që i hapi rrugë ndërtimit e zhvillimit të vendit, shkruan lajmi.net.

“Jetësuam bashkë ëndrrën e shumë brezave për shtet e pavarësi. Për Kosovën e lirë e me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj. Në këtë rrugëtim, u jemi falënderues përjetësisht miqve që na dolën krah, NATO-s e SHBA-ve dhe shteteve të tjera demokratike. Por, posaçërisht sot, përkulemi para sakrificës së shumë brezave të dëshmorëve, martirëve, të burgosurve, veprimtarëve e intelektualëve shqiptarë, që u angazhuan ditë e natë për këtë ditë. Nderojmë me respektin e përjetshëm luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heronjve tanë, që Kosovën e kishin më të shtrenjtën”, ka deklaruar Krasniqi.

Kreu i PDK-së ka përmendur në postimin e tij edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.

“Sot, këtë ditë të bekuar, ua urojmë edhe themeluesve të UÇK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit dhe çlirimtarëve të tjerë, të cilët padrejtësisht sot nuk janë pranë nesh. Këto sakrifica shekullore, që po vazhdojnë edhe sot, na rikujtojnë vazhdimisht çmimin e lartë të lirisë dhe obligimin që kemi për ta çmuar e për ta ruajtur atë”, ka thënë Krasniqi.

Postimi i plotë:

Sot, Kosova shënon Ditën e Çlirimit. 23 vjet më parë, iu dha fund përgjithmonë robërisë e vuajtjeve shekullore të popullit tonë.

23 vjet më parë, për Kosovën nisi një kohë e re, e lirisë, që i hapi rrugë ndërtimit e zhvillimit të vendit. Kështu, rindërtuam shtëpitë e djegura, shkollat e reja, rrugët e autostradat, por edhe administratën, policinë e ushtrinë.

Jetësuam bashkë ëndrrën e shumë brezave për shtet e pavarësi. Për Kosovën e lirë e me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.

Në këtë rrugëtim, u jemi falënderues përjetësisht miqve që na dolën krah, NATO-s e SHBA-ve dhe shteteve të tjera demokratike.

Por, posaçërisht sot, përkulemi para sakrificës së shumë brezave të dëshmorëve, martirëve, të burgosurve, veprimtarëve e intelektualëve shqiptarë, që u angazhuan ditë e natë për këtë ditë.

Nderojmë me respektin e përjetshëm luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heronjve tanë, që Kosovën e kishin më të shtrenjtën.

Sot, këtë ditë të bekuar, ua urojmë edhe themeluesve të UÇK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit dhe çlirimtarëve të tjerë, të cilët padrejtësisht sot nuk janë pranë nesh.

Këto sakrifica shekullore, që po vazhdojnë edhe sot, na rikujtojnë vazhdimisht çmimin e lartë të lirisë dhe obligimin që kemi për ta çmuar e për ta ruajtur atë.

Urime Dita e Çlirimit, Kosovë! 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme