Krasniqi: VV-ja qeverisje patetike e anemike, Kurti po shëtitet derisa Deçani në gjendje emergjente

Prizren | 15 Kor 2021 | 14:29 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se qeverisja e Vetëvendosjes në pushtetin qendror dhe atë lokal është anemike dhe patetike, raporton Ekonomia Online.

I pari i PDK-së, kritikoi kryeministrin Albin Kurti për vizitën e tij në Greqi, duke thënë se është e papranueshme që po qëndron larg vendit kur komuna e Deçanit po përballet me një situatë emergjente, pasi qytetarët e kësaj komune janë helmuar nga shkaqe ende të panjohura.

“Përkundër faktit që Prizreni është qyteti i dytë më i madh për nga popullsia dhe potenciali, sot është prapa Ferizajt për nga potenciali ekonomik në ekonominë e Kosovës dhe kjo tregon për një anemi totale të qeverisjes lokale e cila nuk i ka ndihmuar as bizneset, as të rinjtë, as iniciativat të cilat kanë mundur të japin një bum të zhvillimit ekonomik. Ky është modeli i qeverisjes së Vetëvendosjes që e shihni në Prizren, e keni parë më herët edhe në Prishtinë. Është një qeverisje anemike, apatike, jo efikase, e cila identifikohet me suficit buxhetor. Sot e kemi një kryeministër që po bën pushime në Greqi, dhe nuk vjen t’i shoh qytetarët në Deçan”, tha Krasniqi.

Lideri i opozitës ka ftuar të gjithë qytetarët e Prizrenit pa dallim që në tetor ta kthejnë shpresën për këtë qytet duke e votuar Shaqir Totajn për kryetar duke thënë se ai dhe alternativa që Totaj përfaqëson është zgjidhja më e mirë për këtë qytet.

“Nuk mund të them se u ndjeva krejt mirë sepse po e shohim një degradim të qytetit të Prizrenit. Për fat të keq ky degradim nuk po ndodhë vetëm në kuptimin e dukjes por edhe në kuptimin e potencialit që është bllokuar në Prizren në kuptimin e mbylljes që është duke i ndodhur Prizrenit. Është një degradim nga ana e qeverisjes lokale e cila realisht nuk po e mundëson kthimin e potencialit dhe angazhimin e involvimin e qytetarit të Prizrenit për ta zhvilluar edhe më tutje këtë qytet, i cili është kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve dhe kryeqytet kulturor i të gjithë neve. Por jam i bindur që krejt kjo do të ndyshojë me ardhjen e Shaqir Totajt në krye të udhëheqjes së komunës së Prizrenit. “, tha Krasniqi.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit , Shaqir Totaj tha se me ekipin e tij prej profesionistëve kanë hartuar programin e qeverisjes së re për ta zhvilluar Prizrenin.

“Prizreni kohëve të fundit ka pësuar një degradim substancial në të gjitha sferat e jetës dhe në të ardhmen ne duhet t’i japim këtij qyteti jetë, duhet t’i japim shpresë, duhet të ndërtojmë një sistem të vlerave që promovon kualitet. Unë jam shumë i sigurt se kandidatura ime, e cila shkon përtej një partie është kandidaturë qytetare me një ekip të mirë profesionistësh të fushave të ndryshme. Ne do të arrijmë që me përkrahjen e një spektri të gjerë të elektoratit t’ia rikthejmë Prizrenit dinjitetin.”, tha Totaj.

No description available.

Të ngjashme