Krasniqi: VV-LDK po i frikohen marrjes së përgjegjësive, Osmani po konsumohet politikisht nga Kurti

Prishtinë | 16 Dhj 2019 | 14:47 | Nga Pranvera Behluli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Milazim Krasniqi, ka thënë se dy partitë fituese të zgjedhjeve në tentim të formimit të koalicionit qeverisës, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po frikohen nga marrja e përgjegjësive për të marrë mbi supe problemet me të cilat po përballet vendi.

Krasniqi që është njëri ndër themeluesit e LDK-së, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se VV-ja dhe LDK-ja lehtësisht mund ta formojnë Qeverinë nëse kanë vullnet politik për ta bërë.

“Nëse VV-ja dhe LDK-ja kanë vullnet politik ato lehtësisht mund ta formojnë Qeverinë dhe në atë rast të konsolidohet Kuvendi, Qeveria dhe pastaj në proces mund të zgjidhen problemet e tjera. Por, ky bllokim inatçorë në një çështje të vetme dhe çështje që nuk u përket në këtë fazë përnjëmend tregon diçka tjetër, po më duket nganjëherë tregon frikën e tyre nga marrja e përgjegjësive, po më duket s’kanë qenë psiqikisht të përgatitur për të marrë përgjegjësinë, e vërteta është se vendi ka shumë probleme, ballafaqohemi me shumë sfida, por ata tashmë kanë fituar dhe do të duhej të silleshin si fitues dhe të merrnin përgjegjësinë për të konstituuar institucionet”.

Duke folur për pozicionin e Vjosa Osmanit në bisedimet e të dyja partive për të formuar koalicionin qeverisës, Krasniqi tha se Vjosa Osmani po përdoret politikisht nga Albin Kurti dhe vetë partia e saj (LDK) dhe në rast se vendi do të shkon në zgjedhje të reja kjo do ta rritë elektoratin e Albin Kurtit.

“Ka filluar të më vijë gjynah nga Vjosa Osmani. Është një figurë që ka fituar shumë vota dhe është duke u keqpërdorur në mënyrë të pandershme në njërën anë nga Albin Kurti në përpjekje të saj të sinqerta, por edhe naive që të arrihet kompromisi ndërsa në anën tjetër duke anatemuar edhe nga vetë pjesëtarët e partisë së saj. Unë jam i bindur që nëse kjo vazhdon atëherë kjo i konvenon Albin Kurtit shumë sepse nëse Vjosa konsumohet si figurë dhe nëse shkohet në zgjedhje të reja atëherë Albin Kurti mund ta rritë fitoren e vetë elektorale sepse do të binte elektorati që e votoi Vjosa Osmani”.

“ Mendoj që vetë Vjosa do të duhej të ishte shumë  më e kujdesshme në veprimet dhe deklaratat e saj, poashtu edhe veç udhëheqësja e LDK-së do të duhej ta mbante më afër atë dhe të mos e ekspozonte në këtë mënyrë sepse në fund të fundit Albin Kurti bën punën e vet, ai përpiqet që t’i dëmtojë kundërshtarët politikë sepse bindja ime e thellë është se verzioni i tij është ndoshta shkuarja në zgjedhje të tjera”.

Krasniqi mendon se Presidenti nuk do të duhej të përfshihej në marrëveshjen e koalicionit pasi siç tha ai Presidenti është figurë kushtetuese e pavarur nga qeverisja dhe në shtetet demokratike Presidenti mund të jetë i një grupimi tjetër nga koalicionit qeverisës.

 “Nuk e di pse është gjithë ky siklet rreth Presidentit kur përparësia do të duhej të ishte tek konstituimi i Kuvendit dhe tek formimi i Qeverisë, është sindromë nga e kaluara, në të kaluarën janë bërë këto kompromise dhe pazare me Presidentin, por mendoj që është praktikë e keqe. Do të duhej që të shmangej kjo praktikë se Presidenti për të pasë një figurë të besueshme do të duhej të ishte konsensual pse jo edhe me partitë opozitare do të krijohej edhe një kompromis pasi që për zgjedhjen e tij do të duhen 80 vota ndërsa koalicioni qeverisës në versionin më të mirë nuk i ka më shumë se 70 vota”, tha ai për Ekonomia Online.

E kur u pyet për dy emrat e mundshëm për President, Rexhep Qosja dhe Murat Jashati, të përfolur si propozime nga Albin Kurti, ai tha se nëse zyrtarisht janë përmendur këta emra atëherë ky është vetëm provokim dhe minim i bisedimeve ndërmjet këtyre dy partive.

“Nuk e di a janë përmendur zyrtarisht, nëse janë përmendur atëherë janë përmendje joserioze sepse në momentin që LDK-ja e kërkon Presidentin dhe Vetëvendosja del me emra kjo është provokacion dhe minim i negociatave. Personalisht mendoj që është herët që të flitet për emra, besoj që zgjidhja më e mirë do të ishte që kjo çështje të lihet për më vonë duke kërkuar një konsensus edhe me partitë opozitare së paku me disa prej tyre për të krijuar një kandidatë që fiton 80 vota. Përndryshe, Rexhep Qosja besoj që është figurë që irriton jashtëzakonisht shumë tek LDK-ja duke pasë parasysh raportet pothuajse armiqësore që ia mban në mënyrë të njëanshme me ish-Presidentin e ndjerë Rugova, por edhe me kryetarin aktual Isa Mustafa ndërsa Murat Jashari padyshim është i një familje me vlera historike në historinë tonë, por kjo nuk do të thotë që ai mund të jetë vetvetiu i përshtatshëm për President vetëm pse i përket familjes Jashari. Pra, unë besoj që duhet hulumtim më shumë, duhet me i pa nevojat edhe të shtetit të Kosovës për fazën e ardhshme të përfaqësimit dhe pastaj të krijohet kompromisi”.

Shkuarjen në zgjedhje të reja, profesor Krasniqi e sheh si një katastrofë për vendin derisa thotë se vendi do të vie para një bllokade të përgjithshme.

Ai thotë se VV-ja dhe LDK-ja mund të gjejnë gjuhën e kompromisit për dy vjet derisa të vie koha e Presidentit.

“Mendoj që do të ishte një katastrofë shkuarja në zgjedhje sepse vendi është bukfalisht pa institucione, nuk është miratuar as buxheti, në mars bllokohet komplet nuk mund të paguhen as pagat e sektorit publik kështu që në këtë rast VV-ja dhe LDK-ja do të ngarkoheshin me përgjegjësi të madhe që tregojnë paaftësi për ta formuar Qeverinë. Unë besoj që këtë luks nuk e kanë, këtë aventurë nuk duhet ta testojnë, por duhet t’i ulin kërkesat, duhet të gjejnë gjuhën e kompromisit dhe ta formojnë Qeverinë, qoftë dhe vetëm për dy vjet derisa të vie koha e Presidentit, por të mos e mbajnë peng vendin me këto inate dhe me këto kërkesa që në instancë në fund të fundit janë jokushtetuese. Pra, kërkesa për Presidentin për bindjen time është jokushtetuese. Ndërsa aspektet e tjera pastaj janë cilësime juridike, por problemi mbetet politik”, tha ai për EO.

Ai mendon që problemi më i madh ndërmjet VV-së dhe LDK-së është mosbesimi që kanë nga e kaluara dhe paragjykimet ndërmjet vete sepse sipas tij është paradoksale derisa VV-ja dhe LDK-ja deklarohen se e kanë harmonizuar programin dhe nuk arrijnë të bëjnë marrëveshje.

Të ngjashme