Kreativiteti e fleksibiliteti i Kosovës s’mund të shkojë përtej Planit të Ahtisarit dhe Kushtetutës

Prishtinë | 11 Gus 2018 | 12:16 | Nga

“Ka ardhur koha që të dy palët të jenë kreativë dhe fleksibilë”, thuhet nëpër prononcime ndërkombëtare për dialogun e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë.

Teksa ndan këtë koment, antropologu Arsim Canolli shpreh bindjen se kreativiteti dhe fleksibiliteti i Kosovë është treguar në Planin e Ahtisarit, sipas të cilit është shpallur pavarësia e Republikës së Kosovës, të cilën e kanë njohur 115 shtete të botës.

“Aty është treguar kreativiteti dhe fleksibiliteti më “sui generis” në botë për minoritetet, për multietnicitetin, për gjithë modelet e mundshme demokratike teorike, të cilat askund tjetër në botë nuk ekzistojnë ka arbitraisht të modeluara sa në Kosovë. Aty është vendosur për ndërlidhjen mes komunave me shumicë serbe, për specialitetin juridik të manastireve e kishave ku luten serbët, aty është caktuar për të drejtat e të gjitha komuniteteve. Prej këtij Plani janë nxjerr edhe ligjet edhe Kushtetuta e Kosovës dhe ky është kompromisi i dhimbshëm i Kosovës”, ka thënë Canolli, përcjell Koha.net.

Sipas tij, çfarëdo kreativiteti tjetër çon në zhbërjen e sovraniteti të Republikës së Kosovës.

“Cilido hap ‘kreativ’: edhe kompetencat ekzekutive për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, edhe kompetencat shtesë për Kishën Ortodokse Serbe, edhe ‘korrigjimi’ i kufirit verior e lindor. Nëse në emër të ‘korrigjimit të kufirit’ tentohet të bëhet ndarja e Kosovës në vija etnike, atëherë kjo është krejt e palogjikshme dhe a padobishme për Kosovën por edhe për ndërkombëtarët që japin deklarate të tilla. Nëse motoja evropiane është ‘diversiteti’ dhe ‘toleranca’, si ka mundësi që në anën tjetër të promovohet ndarja në baza etnike. Negociatat ndërkombëtare Kosovë-Serbi, prej të cilave ka dalë Plani i Ahtisarit dhe pastaj Kushtetuta dhe ligjet, kanë përfunduar me një kreativitet të jashtëzakonshëm dhe të paprecedentë në botë. Kreativitetit të shfaqur e shqiptuar në këto negociata nuk i gjindet shoq. Sipas këtij kreativiteti trashëgimia kulturore e Kosovës është ndarë në vija etnike, duke futur konceptin e ‘trashëgimisë serbe’, por jo ‘shqiptare’, në ligjërimin juridik dhe politik të institucioneve të Kosovës”, ka shtuar më tej ai.

Canolli ka thënë tutje se nëse edhe territori i Republikës së Kosovës ndahet në baza etnike, atëherë kjo ndarje e zhbën sovranitetin e Kosovës.

“Nëse zhbërja e shtetit të Kosovës është kreativiteti i radhës, atëherë ky është ndryshim revolucionar në politikat ndërkombëtare. Shpresa e Kosovës është te konsistenca e politikave të jashtme amerikane , jo te zgjidhjet e shpejta “kreative”, që shpesheherë po përmenden në prononcimet në medie”.

Sipas tij, Kosova është entitet politik ku duhet të jetojnë të gjitha komunitetet me të drejta të barabarta si qytetarë të Republikës dhe ky është pengu i Kosovës si polis, si republikë.

“Politikanët e Kosovës por edhe politikanët ndërkombëtare duhet të garantojë se do ta ruajnë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, ku jetojnë të gjithë të barabartë. Jo ta copëtojnë në emër të zgjidhjes së shpejtë. Zgjidhjet e shpejta të apetiteve në Ballkan kanë çuar në luftë e tragjedi, kryesisht për shqiptarët. Kreativiteti dhe fleskibiliteti i palës kosovare nuk mund të shkojë përtej Planit të Ahtisarit dhe Kushtetutës së Kosovës. Kosova nuk ka për çfarë të jetë më kreative, kur zgjidhja ekziston. Nëse në emër të kreativitetit tentohet të ndahet Kosova në vija etnike, atëherë nuk kemi të bëjmë me kreativitet por me ‘ndarje’”, ka thënë Canolli.

Por, zgjidhja kreative nuk është gjetiu, pos te njohja e Kosovës nga Serbia, si shtet i pavarur dhe sovran dhe sipas gjendjes ekzistuese. Ky është kreativiteti që duhet t’i kërkohet Serbisë, përfundon ai.

Të ngjashme