Krejt çka tha Borrell pas përfundimit të takimit disa orësh Kurti-Vuçiqi

Prishtinë | 19 Gus 2022 | 08:12 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe gjatë rundit të ri të dialogut të mbajtur më 18 gusht në Bruksel.

Por, ai tha se palët janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet në ditët në vazhdim.

“Nuk kemi një marrëveshje sot, por ky nuk është fundi. Të dy liderët janë pajtuar që procesi ka nevojë që të vazhdojë dhe se diskutimet do të rinisin në ditët në vijim. Ka ende kohë deri në shtator. Unë nuk heq dorë”, tha Borrell.

Borrell tha se takimet e djeshme në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, nuk ishin “takime të zakonshme”, por “takime për menaxhimin e krizës”.

Diskutimet në Bruksel vijnë tri javë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, teksa serbët ngritën barrikada më 31 korrik dhe 1 gusht për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe. Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe Qeveria e Kosovës shtyu zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Borrell tha se tensionet në veri të Kosovës erdhën në kohën kur kontinenti evropian po përballet me një situatë të rrezikshme për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

“Kjo nuk është koha për rritjen e tensioneve. Është koha të shikohet të gjenden zgjidhje dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet e kahmotshme”, tha Borrell.

Kurti dhe Vuçiq, me ndërmjetësimin e Borrellit dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, gjatë 18 gushtit zhvilluan dy takime.

Po ashtu, para takimit të parë trepalësh dhe pas tij, BE-ja ka mbajtur takime të ndara me delegacionin e Kosovës dhe Serbisë.

Dallime për “statusin final të raporteve” midis Kosovës dhe Serbisë

Borrell tha se gjatë takimeve është biseduar për marrëveshjen gjithpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe shtoi se Kurti dhe Vuçiq e kuptuan se dialogu është e vetmja alternativë për të zgjidhur problemet.

“Ne po ashtu u përqendruam për rrugën përpara drejt normalizimit gjithëpërfshirës midis Kosovës dhe Serbisë. Të dy liderët patën mundësi që të tregonin në detaje lidhur me këtë marrëveshje gjithëpërfshirëse, teksa tensionet aktuale në terren janë simptoma të problemit më të gjerë të statusit të pazgjidhur të raporteve”, theksoi Borrell gjatë një konference për media në Bruksel.

Shefi i diplomacisë së BE-së tha se çështja e normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është e vendosur lart në agjendën e tij.

“Sigurisht që ka dallime në pikëpamjet e tyre se si do të jetë statusi final i raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Por, ata u pajtuan të vazhdojnë diskutimet në baza të rregullta në të ardhmen, në mënyrë që të lëvizet më shpejt me procesin e normalizimit”, tha ai.

Të ngjashme