Kritikohet qasja e Edi Ramës karshi Kosovës, raportet mes dy vendeve jo në nivelin e duhur

Prishtinë | 07 Gus 2021 | 08:29 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Raportet Kosovë- Shqipëri nuk po vlerësohen se janë në nivelin e duhur, e kjo për shkak të qasjes së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, si dhe mungesa e komunikimit të dy kryeministrave shqiptarë, kështu thonë deputetët dhe njohësi i çështjeve politike, raporton Ekonomia Online.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës ( PDK), Hajdar Beqa, tha se raportet me Shqipërinë duhet të jenë të lidhura si në të kaluarën, pasi  Kosova pa Shqipërinë nuk mund të funksionoj si duhet.

“Unë konsideroj që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet me qenë të lidhura në mënyrën më të mirë të mundshme siç kanë qenë edhe në të kaluarën. Mendoj që Kosova nuk kishte mundur të funksionoj pa Shqipërinë, nuk kishte mundur as deri këtu pa të dhe e shoh si një trup të përbashkët të ndarë në dy pjesë me një shpirt”, tha Beqa.

Sipas Beqës kryeministri Kurti duhet ta lërë arrogancën e tij dhe të krijoj raporte më të mira e bashkëpunuese me kryeministrin Rama, pasi deri më tani nuk ka parë ndonjë avancim apo bashkëpunim nga ta.

“Tani jemi me dy Qeveri dhe mendoj që kryeministri Kurti duhet të krijoj raporte më të mira dhe bashkëpunuese me Shqipërinë dhe ashtu nëse marrim atë Albin Kurtin e fushatave e ka pasur plot gojën bashkim kombëtar, plot gojën e krijimit të mundësive për investime të përbashkëta dhe premtime tjera të biznesit dhe kulturës, por që nuk po shoh ndonjë avancim në këtë drejtim. E vlerësoj rolin e Edi Ramës, dhe pres që dy kryeministrat shqiptarë të bashkëpunojnë në emër të qytetarëve”.

“Kryeministri akoma sillet si ai Kurti i opozitës, në sjellje e shohim që nuk bëhet debat dhe ajo arroganca e votave të tij nuk po e lejon me gjetë formën e bashkëpunimit, dhe që tashmë ai duhet të sillet si një lider institucional dhe jo si i opozitës”, theksoi tutje ai.

E njohësi i çështjeve politike, profesori Afrim Hoti, tha se duhet pranuar fakti që Kosova nuk ka trajtimin e duhur sikurse shtetet e tjera, dhe që ndihma e Shqipërisë është më se e domosdoshme.

“Ka hapësirë se si duhet të përmirësohen raportet, sepse duhet të pranojmë faktin që Kosova nuk ka trajtimin  as në kuptimin rajonal të njëjtë sikurse shtetet e tjera, dhe në këtë drejtim ndihma e Shqipërisë është e domosdoshme. Mendoj që bashkëpunimi në mes dy shteteve është e pa alternativë, është rrugë njëdrejtimëshe, dhe e shohim që qeveritë vinë e shkojnë, dhe ajo që më së paku na duhet janë raportet e ngrira në mes Kosovës dhe Shqipërisë”, theksoi tutje Hoti.

Hoti po ashtu tha se ka një neglizhencë të raporteve dhe bashkëpunimit, dhe kjo shihet si diçka negative për dyja vendet në përgjithësi.

“Në kuptimin e bashkëpunimit rajonal gjithsesi që flitet për sukses, por  në raport me Kosovën faktikisht çështja shënon një neglizhencë dhe kjo për faktin e ngërçit në kuptimin e raporteve personale, sepse jo vetëm tash me kryeministrin Kurti por edhe me kryeministrat paraprakë parimisht kanë reflektuar raportet personale me autoritetet në Shqipëri sepse liderët përkatës kanë promovuar raportet më të mira qoftë me presidentin apo me kryeministrin e Shqipërisë dhe kjo në fakt duhet të shihet si diçka negative e në veçanti duke u nisur nga fakti se çfarë raporte kanë dy shtetet”, tha Hoti.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, tha se Kosova ka shumë pika të përbashkëta me Shqipërinë dhe se nuk duhet anashkaluar interesat e vendit tonë.

“Sa i përket kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, mendoj që ai i njeh politikat e Shqipërisë dhe interesin e vendit por për të mos anashkaluar në shumicën e rasteve edhe interesin e Kosovës. Ne kemi shumë pika që na bashkojnë me kryeministrin e Shqipërisë por në rastin e Mini-Shengenit besoj që ka gabuar, dhe që Kosova me të drejtë nuk ka marrë pjesë në takim”, tha Lekaj.

Mes tjerash ai thotë se si vend nuk duhet të hymë në ujëra të turbullta, duke përfshirë këtu edhe ekonominë e dobët, dhe interesat e përbashkëta për të dyja vendet.

“Ne si Kosovë nuk guxojmë të hymë në ujëra të turbullta ku dihet që edhe ekonomikisht jemi dobët dhe ai që e ka kapitalin dhe ka tregun mund të ndikojë në politika”, theksoi tutje ai.

Të ngjashme