Kritikohet raporti financiar i MKRS-së për 2017, Gashi thotë se defektet janë eliminuar

Prishtinë | 06 Nën 2018 | 13:37 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017, Driton Selmanaj, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, e cilësoi atë si ndër raportet më negative që kanë marrë në shqyrtim.

Edhe ministri Kujtim Gashi tha se edhe për të ka qenë jashtëzakonisht shqetësues ky raport. Por, ai tha se MKRS ka marrë të gjitha veprimet që t’i eliminojnë këto defekte.

Driton Selmanaj i LDK-së konsideroi se raporti i MKRS-së duhet të rishikohet edhe një herë për shkak, sipas tij, të problemeve të mëdha që duhet trajtuar.

Komisioni votoi që të nxirren rekomandime dhe javën e ardhshme të vendoset që raporti të shkojë në seancë, raporton Ekonomia Online.

Valon Ramadani ka përmendur disa nga parregullsitë që i ka vërejtur auditori në këtë raport.

“Disa nga çështjet ishin llogaritë bankare të institucioneve vartëse që janë në banka komerciale, menaxhohen nga drejtorët dhe nuk janë të autorizuara nga thesari. Në këto llogari në fund të vitit kishin mbetur 2 milionë e 430 mijë e 707 euro, mjete të cilat ishin të pashpenzuara të cilat janë prezantuar si të shpenzuara. Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe MKRS-ja kanë kompenzuar punëtorë profesionalë dhe punëtorë ndihmës në terren në vlerë prej 526 mijë e 730 euro. Sipas rregullores, siç është shfuqizuar me vendim të qeverisë”.

Ramadani tha se, sipas auditorit, MKRS-ja nuk ka ofruar informata të nevojshme për testim të pasurive. Ai përmendi edhe mosrealizimin e disa projekteve të rëndësishme kapitale.

“Auditori ka theksu faktin se MKRS-ja nuk kishte ofruar informata të nevojshme për testim të pasurive. Vlera e pasurisë kapitale mbi një mijë euro, në MKRS është 23 milionë e 287 mijë e 695 euro. Pjesa dërrmuese e këtyre pasurive janë të paraqitura si investime. Te planifikimi i buxhetit kisha theksuar mosrealizimin e projekteve të rëndësishme kapitale si dhe nënshkrimin e memorandumeve me mjetet e parapara. Në fushën e transfereve ka rritje në krahasim me vitin e kaluar. Transferet kanë ndodhur më shumë me pagesat e punëtorëve në zyrën për shërbime të veçanta, në anën tjetër në 2017 me buxhet fillestar ishin të parapara 89 projekte me vlerë 16 milionë e 257 mijë”.

Parregullsi tjetër e raportit të auditorit për MKRS-në është memorandumi i bashkëpunimit me Federatën e Sportit dhe Komitetin Olimpik për 837 mijë e 582 euro më shumë sesa buxheti i paraparë, raporton EO.

“Po ashtu MKRS-ja ka lidhur memorandum me Federatën e Sportit dhe Komunitetin Olimpik për 837 mijë e 582 euro më shumë se buxheti i paraparë. Ka pengesa në pagesat e punëtorëve. Kompensime me koeficientë të ndryshëm dhe kategorizimi jo i drejtë i drejtorëve në institucione vartëse të kulturës. MKRS-ja ka marrë 104 persona me marrëveshje për shërbime të veçanta, 14 pa procedura rekrutimi.

Ministri Kujtim Gashi tha se edhe për të ka qenë jashtëzakonisht shqetësues ky raport.

“Ne kemi marrë të gjitha veprimet që t’i eliminojmë këto defekte dhe t’i dorëzojmë te zyrtarët kompetentë. Çështja e llogarive bankare është fakt. Të gjitha institucionet e trashëgimisë kanë pasur të hapur llogari bankare. Të gjitha mjetet financiare që kanë qenë i kemi kthy në buxhet. Asnjë menaxher nuk menaxhon më me këto mjete financiare”.

Ai e pranoi se gajtë vitit 2017 janë lidhur më shumë memorandume bashkëpunimi sesa që ka qenë e paraparë.

“Sa u përket memorandumeve, është fakt që janë lidhë më shumë sesa ka qenë e paraparë. Edhe këtë të gjetur e kemi eliminu dhe në 2018 me të gjitha federatat i kemi mjetet e sigurume me të gjitha marrëveshjet pa e tejkalu asnjë cent nga buxheti i paraparë”.

Gashi e pranoi edhe keqmenaxhimin e pagesave për Filarmoninë dhe Baletin.

“Federatat financohen sipas rregullores së vendit. Kemi përpikëri të zbatimi të rregullores së subvencioneve. Pagesat që kanë ndodhë keq është e vërtetë, edhe në filarmoni, edhe në balet. Të gjithë artistët kontraktohen me kontrata të rregullta. Nuk ka asnjë rast që është i lidhur pa kontratë”.

“Sa i përket drejtorit të auditorit, ai i raportin ministrisë dhe gjithçka gjatë 2018 i kemi në bazë të raportit të punës. Edhe unë pajtohna që është ndoshta ndër raportet më të këqija, deri në afatin për gjetjen e të gjithave në masën më të lartë kemi me i eliminu të gjitha të gjeturat që të mos përsëriten”.

Valon Ramadani pyeti ministrin Gashi nëse janë marrë apo ajo masa që ata që kanë fituar kundërligjshëm t’ia kthejnë paratë ministrisë.

Gjatë përgjigjes së tij, Gashi tha se çështja e keqpërdorimit është kompetencë e organeve të tjera, me ç’rast edhe u bëri thirrje atyre që të ndërmarrin masa.

“Çështja e keqpërdorimit është kompetencë e organeve tjera. Projektet që janë financu nga MKRS-ja parashohim t’i përmbyllim. I ftoj organet ti ndërmarrin masat e tyre. Në këtë vit federatat e sportit në baza mujore katër herë në vit raportojnë për mjetet financiare që i marrin në katër rata”.

Emilija Redzepi tha se MKRS-ja është i vetmi institucion që u jep mbështetje komuniteteve. Ndërsa në pyetjen se a ka të punësuar nga komunitetet, përgjigja ishte negative.

“Ne si pjesëtarë të komunitet kjo është ministria e vetme ku ne marrim grante për mbështetje në fushën e Kulturës dhe Sportit”.

Veton Firzi, sekretar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha se lidhja e memorandumeve të bashkëpunimit është bërë me autorizimin e ministrit Gashi.

“Lidhja e memorandumeve ka qenë me autorizim të ministrit, por nuk ka qenë me shkrim. Ministri ka qenë në dijeni për secilën variant. Për pagesën e këshillave dhe bordeve të tjera, ministri më ka udhëzu me ndalë, pagesat janë ndalë dhe si të tilla nuk realizohen”.

“Për Baletin dhe Filarmoninë e kemi të përcaktuar buxhetin dhe kur e kanë të përcaktuar i ndajnë shfaqjet. Çështja e mëditjeve, janë pagu në bazë të një rregulloreje të këshillit drejtues, pa vendim të ministrit. Nuk kemi marrë asnjëherë vërejtje që veprimet që po i ndërmarrim janë të gabueshme”.

Të ngjashme