Kroacia merr presidencën e BE-së, Thaçi: Presim të përmirësohet padrejtësia për heqjen e vizave

Prishtinë | 03 Jan 2020 | 15:50 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka uruar shtetin e Kroacisë për marrjen e presidencës së BE-së.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi është shprehur se shpreson që të përmirësohet padrejtësia që po i bëhet Kosovës për liberalizimin e vizave.

Sipas tij, marrëdhënie me BE-në, duhet të ndërtohet mbi besim dhe respekt të ndërsjellë.

Po ashtu, Thaçi tha se organizimi i Samitit të Zagrebit është mundësi e mirë  për konfirmimin e përkushtimit e tërë rajonit për t’u bërë pjesë e BE-së.

Postimi i plotë i presidentit:

E uroj Kroacinë për marrjen e kryesimit të radhës të Këshillit të BE-së. Zagrebi është zëri i Ballkanit në Bruksel, prandaj i mirëpresim këta gjashtë muaj të ardhshëm. Zotimi i Kroacisë për të organizuar Samitin e Zagrebit në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është një mundësi tjetër për të konfirmuar përkushtimin e tërë rajonit për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Si Kosovë presim që edhe më zëshëm të kërkohet të përmirësohet padrejtësia që po na bëhet, duke mos marrë vendimin e merituar për heqjen e regjimit të vizave. Marrëdhënia me BE-në duhet të ndërtohet mbi besim dhe respekt të ndërsjellë. Ky pres të jetë mesazhi i Kroacisë për BE-në në këta muaj të kryesimit të Këshillit.

Të ngjashme