Kryediplomati serb nuk e fsheh: Nuk i vëmë sanksione Rusisë, na mbështet për Kosovën

Prishtinë | 13 Qer 2022 | 18:07 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviq theksoi se Serbia respekton integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Ai ka thënë se Serbia i dënon “aktivitetet” e Rusisë ndaj Ukrainës, por kur bëhet fjalë për vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse, ajo merr vendime në mënyrë të pavarur, bazuar në interesat kombëtare dhe të qytetarëve.

Pas takimit me Ministrin e Jashtëm të Austrisë në Beograd, Selakoviq ka thënë se Serbia nuk mund të jetë kundër dikujt që respekton integritetin e saj territorial.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit austriak se pse Serbia nuk harmonizon politikën e jashtme me atë të të BE-së dhe vendos sanksione ndaj Rusisë, ai tha se nuk duhet të pritet diçka e tillë.

“Mos prisni që Serbia të veprojë kundër atyre që respektojnë integritetin e saj territorial, të cilët janë të penguar në sistemin e OKB-së nga sulmet ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit”, theksoi shefi i diplomacisë serbe.

Ai po ashtu tha se Serbia e tregon qartë qëndrimin e saj duke votuar në organizatat ndërkombëtare, me sjelljen e saj ndaj refugjatëve ukrainas dhe duke dërguar ndihma humanitare.

Sipas Selakoviq kur udhëheqja shtetërore serbe merr vendime “udhëhiqet nga interesat kombëtare të Serbisë dhe qytetarëve të saj dhe rithekson se Serbia respekton integritetin territorial të Ukrainës, BeH, por edhe të sajin”.

Shefi i diplomacisë serbe po ashtu thotë se Serbia ka marrëdhënie miqësore me Rusinë dhe nuk e fsheh, por edhe se e ka thënë qartë se çfarë mendon për “aktivitetet e Federatës Ruse, gjegjësisht se i ka dënuar ato”.

Sipas tij, qytetarët e Serbisë e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë të jesh nën sanksione dhe se “askush nuk duhet të na kërkojë t’ua bëjmë të tjerëve, duke e ditur se sa dhe kur ndikon keq”

“Dhe se ne duhet të furnizohemi me naftë, që njerëzit këtu duhet të ngrohen në dimër, që fabrikat duhet të punojnë, makinat duhet të ngasin dhe se ne nuk jemi në gjendje të llogarisim në ndihmën që do të marrin vendet anëtare nga Brukseli. por se ne duhet të mbështetemi në aftësitë dhe burimet tona”, ka theksuar Selakoviq.

Por kur është fjala për “rrugën evropiane”, Selakoviq thotë se për Serbinë nuk ka rrugë apo alternativë tjetër për atë rrugë.

Të ngjashme