Kryeministri Haradinaj priti në takim kryeparlamentarin Xhaferi

Prishtinë | 17 Jan 2018 | 18:50 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Kryeministri Haradinaj theksoi se Viti i Skënderbeut është një vit i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët. Ai e vlerësoi me rëndësi emetimin e pullave postare me figurën e Skënderbeut, në Kosovë dhe në Maqedoni.

Në takimin e përbashkët të kryeministrit Haradinaj me kryetarin Xhaferi u bisedua për marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve, për bashkëpunimin e ndërsjellë si dhe për thellimin e marrëdhënieve posaçërisht në fushën e ekonomisë me qëllim të rritjes së mirëqenies për qytetarët e dy shteteve, thuhet në një njoftim të lëshuar për shtyp pas takimit.

Kryeministri Haradinaj përshëndeti miratimin e Ligjit nga Parlamenti i Maqedonisë për përdorimin e gjuhës shqipe, i cili sipas tij, do të avancojë dhe promovojë raportet ndërmjet qytetarëve në Maqedoni.

“Ndërkaq, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritje, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejmë në të gjitha fushat e interesit reciprok”, thekson komunikata e Zyrës së Kryeministrit.

Haradinaj i dhuroi Xhaferit plaketën e pullës postare të Postës së Kosovës, që është krijuar për nderë të Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme