Kryeministri Haradinaj u takua me Senatorin James Inhofe

Prishtinë | 27 Sht 2018 | 18:43 | Nga

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dëshmuar në vazhdimësi se janë prijëse të lirisë dhe demokracisë në botë. Këtë më së miri e kanë dëshmuar në rastin e Kosovës, duke mbrojtur popullin në kohë të vështira dhe tani duke ndihmuar në forcimin e demokracisë, shtetin e së drejtës dhe zhvillimin ekonomik. Rol të pazëvendësueshëm për ta mbajtur gjallë temën e Kosovës në agjendën amerikane kishin Senatorët nga ky vend”, tha kryeministri Ramush Haradinaj, pas takimi që zhvilloi me kryetarin e Komitetit për Shërbime të Armatosura në Senatin Amerikan, Senatorin James Inhofe.

Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, arsimi, shëndetësia, siguria, ishin temat që u biseduan nga Kryeministri Haradinaj dhe Senatori Inhofe.

Duke theksuar orientimin euroatlantik të Republikës së Kosovës dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në BE, OKB, NATO dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, Kryeministri Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova të jetë pjesë e këtyre institucioneve.

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Senatorin Inhofe për të arriturat e Kosovës në të gjitha fushat, në të njëjtën kohë ka kërkuar mbështetjen për procesin e tranzicionit të FSK-së në Forca të Armatosura, si një forcë profesionale e cila do të jetë në shërbim të forcimit të sigurisë dhe të paqes në botë.

Kryeministri Haradinaj, ka theksuar se partneriteti me ShBA-të është orientim i Qeverisë së Kosovës dhe në këtë drejtim, të dyja vendet duhet të fuqizojnë bashkëpunimin politik dhe ekonomik.

Senatori James Inhofe, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë përkrahëse e fuqishme e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme