Kryeministri Kurti bëri hapjen zyrtare të “Ditëve të Biznesit Kosovar”

Prishtinë | 04 Nën 2021 | 15:12 | Nga Ekonomia Online

Në hapjen zyrtare të “Ditëve të Biznesit Kosovar”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shprehu përkushtimin e Qeverisë të Republikës së Kosovës për të ndihmuar një sektor privat të qëndrueshëm dhe për të mbështetur zhvillimin e mëtejmë të këtij mjedisi, në mënyrë që ekonomia e vendit të gëzojë përkrahje efikase dhe të drejtuar kah zhvillimi, kah rritja.


Ai veçoi masën 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për subvencionim prej 20% të kredisë investive, ku prodhuesi që investon 500,000 euro në zgjerim të kapaciteteve do të marrë edhe më shumë sesa kamata që paguan: 100,000 euro, më saktësisht. Pra, më 1/5 e kryegjësë merr më shumë se sa pagesa për kamatën e gjithmbarshme brenda 5 viteve me 6% interes.


Ndërsa, me masën 2.4 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, Qeveria ofron mbështetje ku secili prodhues do të mund të përfitojë deri në 130,000 euro tjera dhe atë shtesë mbi subvencionimin e investimit, për të ngritur kapacitetet e stafit, rritur cilësinë e produktit, dhe gjetjen e tregjeve të reja.


Duke përmendur disa nga arritjet që kanë lidhje me zhvillim të sektorit privat, kryeministri veçoi: demonopolizimin e terminaleve doganore, të cilat nga mesi i vitit të ardhshëm do të shtrihen në tërë territorin e Kosovës; miratimin e ligjit për tregtinë me derivatet e naftës dhe lëndët djegëse të rinovueshme, ligj që ishte në proces ndryshimi prej 12 vitesh; si dhe miratimin e ligjit për Gjykatën Komerciale. Ai bëri të ditur se Qeveria është duke e përditësuar një listë me mbi 100 ide-projekte, kryesisht nga sektorët e infrastrukturës, mjedisit dhe energjisë, në vlerë të përgjithshme prej rreth 3 miliardë euro. 

Kryeministri theksoi se krahas me zhvillimin e politikave dhe implementimin e mekanizmave të ndryshëm përkrahës për sektorin privat, të gjithë, pra qeveria, sektori privat, por edhe qytetarët e mërgata jonë e vlefshme duhet ta promovojmë Kosovën si vend të gatshëm dhe të frytshëm për biznes.


Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka organizuar “Ditët e Biznesit Kosovar”, që nëpërmjet Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (AIPNK) do të organizojë shtatë javët e biznesit në qendrat kryesore të Republikës së Kosovës.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në hapjen zyrtare të “Ditëve të Biznesit Kosovar”:

E nderuara ministre Rozeta Hajdari,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,

Të nderuar përfaqësues të sektorit privat, ndërmarrës, prodhues dhe mysafirë të respektuar,

Më lejoni që së pari t’ju dëshiroj mirëseardhje, në këtë ngjarje të rëndësishme të hapjes zyrtare të “Ditëve të Biznesit Kosovar” që ka filluar me 1 nëntor të vitit 2021, pra dhe do të vazhdojë deri me datën 17 dhjetor të këtij viti. Sot po e fillojmë me Prishtinën, dhe më pas do të vazhdojmë edhe nëpër komunat tjera. Njëherazi, e përgëzoj Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, bashkë me kolegët e saj për organizimin e këtyre ditëve të biznesit që na mundëson një bashkëbisedim të hapur e të afërt me ju.

Qeverisja e mirëfilltë, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve, përmes një programi të zbatueshëm janë vizion i qeverisë sonë. Për mirëqenie nevojitet zhvillim ekonomik i qëndrueshëm, por edhe sa më i shpejtë.

Në programin qeverisës, një nga qëllimet tona strategjike është përmirësimi i konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, në rajon e më gjerë, që synojmë ta arrijmë nëpërmjet avancimit të politikave në sektorin e industrisë dhe investimeve, si dhe përmirësimi i shërbimeve në infrastrukturë të cilësisë.

Dialogu i vazhdueshëm mes nesh është i domosdoshëm që vizionin dhe programin e Qeverisë t’i përkthejmë në veprime sa më të efektshme dhe më frytdhënëse. Punët e mira të Qeverisë madje i atribuohen komunikimit, bashkëpunimit e bashkërendimit mes politikave qeveritare dhe komunitetit të biznesit.

Ne nxisim një dialog të nevojshëm dhe të munguar për zhvillimin, punësimin dhe investimet. Është e qartë që zhvillimi ynë ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme për investime të huaja dhe vendore, pa vonesa administrative, me sundim të ligjit dhe me konkurrencë për cilësi.

Zhvillimi ekonomik nuk mund të arrihet po qe se nuk japim përkrahje zhvillimit të sektorit privat me nxitje të prodhimit dhe rritje të eksportit e cila do të ndikojë në përmirësimin e bilancit tregtar dhe në shtimin e punësimit te ne. Avancimi i sektorit privat kërkon një sistem financiar stabil që është në gjendje për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe me kushte të favorshme për bizneset.

Sipas vlerësimit të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia jonë ka një rritje të përshpejtuar prej 9.9% të Bruto Produktit Vendor për këtë vit. Krahasuar me një vit më parë, të ardhurat tatimore janë shtuar për 33.5% në periudhën janar-shtator, ndërkaq eksportet me 68%, kurse numri i të punësuarve për periudhën mars-shtator është rritur me 9,351 punonjës. Shtimi i të hyrave tatimore është bërë pa ndryshuar politikat fiskale. Për shkak të performancës dhe menaxhimit të mirë financiar, e ende pa bërë ndryshime, pra në politikat fiskale, buxheti i vitit 2022, është rritur për 220 milionë euro, apo 8.7%, krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti që e bëmë gjatë verës.

Qasja në financa dhe kostoja e financimit janë ndër sfidat kryesore që prodhuesit tanë kanë për të zgjeruar kapacitetet e tyre.

Kërkesa e prodhuesve çdoherë ka qenë që shteti t’ju ndihmojë duke ua subvencionuar gjysmën e kamatës.

Me masën 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për subvencionim prej 20% të kredisë investive, prodhuesi që investon 500,000 euro në zgjerim të kapaciteteve do të marrë edhe më shumë sesa kamata që paguan: 100,000 euro, më saktësisht. Ndërkohë, që ta zëmë me kamatë 6% që duhet t’i kthesh brenda 5 viteve biznesi do të duhej ta kthente përveçse shumën e marrë gjithashtu edhe kamatën prej afër 80 mijë euro, më saktësisht prej 79, 984 euro. Pra, më 1/5 e kryegjësë merr më shumë se sa pagesa për kamatën e gjithmbarshme brenda 5 viteve me 6% interes.

Dhe mbështetja jonë nuk do të ndalet me kaq. Sepse me masën 2.4 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, secili prodhues do të mund të përfitojë deri në 130,000 euro tjera dhe atë shtesë mbi subvencionimin e investimit, për të ngritur kapacitetet e stafit, rritur cilësinë e produktit, dhe gjetjen e tregjeve të reja.

Disa nga arritjet që kanë lidhje me zhvillim të sektorit privat janë edhe: Demonopolizimi i terminaleve doganore, të cilat nga mesi i vitit të ardhshëm do të shtrihen në tërë territorin e Kosovës. Para disa ditëve rihapëm terminalin doganor në Trepçë, mandej e kemi miratuar ligjin për tregtinë me derivatet e naftës dhe lëndët djegëse të rinovueshme, ligj që ishte në proces ndryshimi prej 12 vitesh; E kemi miratuar edhe ligjin për Gjykatën Komerciale dhe jemi duke e azhurnuar një listë me mbi 100 ide-projekte, kryesisht nga sektorët e infrastrukturës, mjedisit dhe energjisë, në vlerë të përgjithshme prej rreth 3 miliardë euro. 

Krahas me zhvillimin e politikave dhe implementimin e mekanizmave të ndryshëm përkrahës për sektorin privat, të gjithë ne, pra qeveria, sektori privat, por edhe qytetarët e mërgata jonë e vlefshme duhet ta promovojmë Kosovën si vend të gatshëm dhe të frytshëm për biznes.

Për fund, dëshiroj të shpreh përkushtimin e Qeverisë të Republikës së Kosovës për të ndihmuar një sektor privat të qëndrueshëm dhe për të mbështetur zhvillimin e mëtejmë të këtij mjedisi në mënyrë që ekonomia e vendit të gëzojë përkrahje efikase dhe të drejtuar kah zhvillimi, kah rritja.

Në këto ditët në vijim të sektorit privat, ne do të organizojmë edhe shumë vizita të drejtpërdrejta te kompanitë prodhuese, eksportuese, shërbyese dhe investitorë të huaj në Kosovë, me qëllim që si Qeveri të jemi afër jush dhe së bashku me juve, dhe në këtë mënyrë ekonominë e sidomos prodhuesin tonë ta forcojmë me përkrahje konkrete e të domosdoshme.

Ne jemi këtu për ju, që me dialog dhe bashkëbisedim të arrijmë së bashku t’i vendosim prioritetet të cilat do ta ringjallin dhe shpiejnë përpara ekonominë e vendit tonë.

Të ngjashme