Kryeministri Kurti: Ministrat do të vlerësohen, asnjëri nuk është i paprekshëm

Prishtinë | 28 Gus 2022 | 11:51 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti tha se ministrat dhe zëvendësministrat në Qeverinë e tij do të vlerësohen, por që nuk përjashtohet të ketë edhe ndryshime brenda kabinetit.

Ai tha në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të dielën se ministrat duhet të shërbejnë, e jo të sundojnë, apo të jenë mendjemëdhenj.

“Na duhet punë kolektive e ekipore ku personat që e marrin një detyrë, dinë të punojnë pa krijuar probleme mes grupit për shkak të egove të tyre. Nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj. Kush e merr një pozitë në qeverinë time, e merr për të shërbyer, jo për të sunduar. Ministrat e zv.ministrat nuk janë shefa, janë udhëheqës të projekteve zhvillimore, në përputhje me kushtetutshmërinë dhe me ligjet. Prandaj, modestia është cilësia që na duhet, sidomos në këtë kohë krize, e shoqëruar me vendosmëri të cilën e kemi përherë”, tha Kurti.

Kurti kritikoi edhe mungesën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nëpër seanca të Kuvendit, duke paralajmëruar se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, mund të përjashtohen nga listat zgjedhore.

“Askush nuk e ka votuar deputetin tonë që të mungojë në seanca. Të gjithë deputetët kanë punuar mirë, dhe unë ju falënderoj për jetë e u jam mirënjohës për këtë gjë, por e keni mundësinë të shkëlqeni. Mes jush mund të ketë ministra e zv.ministra të ardhshëm , edhe në ditët kur nuk jam kryeministër. Nëse nuk përkushtoheni tash e këtu, nëse nuk e ndihmoni Qeverinë, gjasat janë që edhe në mesin e deputetëve, do të ketë nga ata që nuk do të jenë në lista në zgjedhjet e ardhshme”, tha Kurti.

Sipas tij, reformim duhet të ketë edhe në administratë, pasi siç u shpreh Kurti, ka “elementë që nuk e kryejnë punën për të cilën paguhen”.

“Askush e askund nuk është i paprekshëm. Nuk kemi dashur të merremi me ndryshime ministrash e të stafit politik gjatë kësaj kohe sepse kemi pasur probleme të tjera, por ne e dimë se askush e asnjëri nuk është e nuk ndihet i paprekshëm. Ministrat, zv.ministrat dhe i gjithë stafi politik, e dinë që do të mund të ketë ndryshime e do të vlerësohen. Nuk do të merren për bazë influencat mediale të njërit apo tjetrit, por do të merren për bazë në vlerësim rezultatet e punës”.

Sipas Kurtit, nuk do të mjaftojë të thuhet se ministrat nuk po vjedhin, por “kjo duhet të shoqërohet me rezultate sipas programit qeveritar dhe planit të punës”.

Të ngjashme