Kryeministri Kurti mori pjesë në Konferencën “Paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor”

Prishtinë | 11 Qer 2022 | 14:43 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në sesionin e parë të Konferencës së Lidershipit të Ballkanit, me temë “Paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor”, të organizuar nga Federata Universale për Paqe.

Kryeministri Kurti teksa ka përshëndetur dhe ka falënderuar organizatorët për organizimin e konferencës ka theksuar se Dita e Paqes në Kosovë përkon me Ditën e Çlirimit, preludin e paqes për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe me Lidhjen historike të Prizrenit.

Ai ka rikujtuar vlerat pajtuese dhe përpjekjet paqësore të shqiptarëve për liri e paqe të qëndrueshme, të cilat u sfiduan nga regjimi gjenocidal i Serbisë, e që dëmtoi të dy popujt dhe shkaktoi tragjedinë e katastrofën humanitare, të cilën, siç ka thënë kryeministri, duhet kurrë të mos e harrojmë, por të kërkojmë që të vendoset drejtësia e të bëhet kërkimfalja e pranimi në mënyrë që të arrihet pajtimi.  

 Kryeministri ka thënë që Kosova është shembull i mirë për të gjithë të tjerët, se demokracia cilësore dhe zhvillimi ekonomik shkojnë bashkë. Gjersa ka përmendur të arriturat dhe zhvillimin ekonomik gjatë një vit qeverisje, ai ka theksuar se ato janë dëshmi se ata që besojnë se zhvillimi ekonomik e ka më shumë për qef autokracinë e kanë gabim. Demokracia nënkupton të drejtat e njeriut, të drejtat civile dhe gjithashtu e ndihmon dhe ndihmohet prej zhvillimit ekonomik, ka potencuar ai.  

Kryeministri ka thënë se njerëzit tanë janë të etur dhe të dëshiruar për siguri dhe zhvillim të drejtë e gjithëpërfshirës. Por koha që po jetojmë dhe konteksti gjeopolitik e gjeoekonomik e gjeostrategjik rreth nesh dhe drejt nesh, sipas tij, duket se nuk janë aq mirë e premtues për një paqe të vërtetë, të drejtë dhe të qëndrueshme.

Mik i mirë i paqes është jo ai që qëndron indiferent ndaj atavizmave të ndryshëm, të shovinizmave luftënxitës dhe u bën  atyre lëshime të pajustifikueshme dhe kontraproduktive, por ai që angazhohet për parandalimin e konflikteve të reja dhe evitimin e regjenerimit  të konflikteve të vjetra, ka thënë kryeministri.

Në fund të fjalës, ai ka uruar për paqe kudo në botë dhe ka shprehur solidarizimin me kauzën e drejtë të të gjithë popujve që përballen me luftëra, ndarje, copëzime, poshtërime dhe robëri. Fitorja e tyre është fitore për njerëzimin, ka thënë kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar drejtues i Federatës Universale për Paqe për Evropë dhe Lindjen e Mesme, z. Katsumi Otsuka,

E nderuara zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj. Emilija Rexhepi,

E nderuara zëvendësministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Edona Bërdynaj Maloku,

I nderuar drejtues i Federatës në Kosovë, z. Binak Ulaj,

I nderuar ish president i Republikës së Shqipërisë, z. Alfred Moisiu,

E nderuar ish zëvendëskryeministre e Republikës së Shqipërisë, znj. Senida Mesi,

I nderuar ish president i Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu,

I nderuar udhëheqës i Institutit Austriak për Politikat Evropiane dhe të Sigurisë, z. Werner Fazlabend,

I nderuar ish president i Kroacisë, z. Stjepan Mesiq,

E nderuar ish presidente e Serbisë, znj. Natasha Miçiq,

Të nderuar deputetë, ish-ministra e ish-deputetë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe zotërinj,

Ju falënderoj për organizimin e kësaj konference të lidershipit paqeruajtës dhe paqendërtues në Kosovë, në fqinjësi dhe gjithandej.

Me praninë tuaj sot këtu ju e nderoni dhe e pasuroni frymën e paqes  dhe idealeve të brezave liridashës dhe paqeruajtës, në Kosovë, në Ballkan dhe gjithandej.            

Siç thoshte shumë vite më parë Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, U Thant, “Në një kohë kur lufta dhe dhuna shpesh monopolizojnë ciklet tona të lajmeve, Dita Ndërkombëtare e Paqes është një kujtesë frymëzuese e asaj që mund të krijojmë së bashku. Le t’ia japim një shans”.  

Dita e Paqes në Kosovë përkon me Ditën e Çlirimit, preludin e paqes për të gjithë qytetarët e Kosovës, ditë lirie që përkon edhe me Lidhjen historike të Prizrenit, kryengritjes së madhe për liri e paqe të drejtë, të një populli jo shumë të madh, por shumë të rrezikuar.  

Për mbi katër shekuj sundim perandorak, shqiptarët ruajtën me heroizëm, me fanatizëm dhe me sakrifica të shumta flakën e lirisë dhe kodin civil të traditës së lashtë kombëtare dhe normave të së drejtës zakonore, të vlerave të Rilindjes kombëtare dhe evropiane, norma me vlera të rralla edhe sot në kohën tonë moderne.

Brezat rinorë të gjeneratave të ndryshme u referoheshim porosive pajtuese të rilindasve tanë dhe cilësimit të shtëpisë së shqiptarit si “të zotit të shtëpisë dhe të mikut”.  Miku, cilido qoftë ai trajtohej si pjesë e familjes, posaçërisht i mbrojtur dhe i siguruar.             

Por posaçërisht, këto vlera mishëroheshin me përvojën e frymëzuesit dhe prijatarit të Lëvizjes sonë çlirimtare, ambasadorit për paqe dhe laureatit të Çmimit Saharov për Paqe, Adem Demaçi, i cili thoshte: “Do miq të mirë, bëhu mik i mirë. Çka bëjnë shovinistët zullumçarë, nuk bën të bëjnë idealistët çlirimtarë”.

Sivjet u shënua edhe përvjetori i tridhjetë i Lëvizjes së madhe të pajtimit. Një lëvizje paqësore dhe paqësuese, organizuar nga veprimtarët atdhetarë, progresistë dhe kleri i bashkuar fetar. Një lëvizje që, si kundërvënie politikës shoviniste “përçaj e sundo”, në tubime masovike, pajtuan qindra e qindra familje të armiqësuara.

Të tilla, po ashtu pajtuese, ishin edhe thirrjet e Lëvizjes së padhunshme gjithpopullore e çlirimtare, drejtuar edhe pjesëtarëve të kombësisë serbe. Gjithçka do të kishte rrjedhë tjetër sikur kreu politik dhe ushtarako policor i Beogradit, të mos impononte politikën agresive e gjenocidale ndaj shqiptarëve.

Për pasojë ndodhi krimi i vazhdueshëm i Serbisë, që dëmtoi të dy popujt dhe shkaktoi tragjedinë e katastrofën humanitare, të cilën duhet kurrë të mos e harrojmë, por të kërkojmë që të vendoset drejtësia e të bëhet kërkimfalja e pranimi në mënyrë që të arrihet pajtimi.  

Ëndrrat më të mira për paqe të drejtë, të qëndrueshme dhe të pacenueshme shihen atje ku janë përjetuar ankthet dhe makthet e paharrueshme të luftës.                

Njerëzit tanë janë të etur dhe të dëshiruar për siguri dhe zhvillim të drejtë e gjithëpërfshirës. Por koha që po jetojmë dhe konteksti gjeopolitik e gjeoekonomik e gjeostrategjik rreth nesh dhe drejt nesh, duket se nuk janë aq mirë e premtues për një paqe të vërtetë, të drejtë dhe të qëndrueshme.

Paqen e brishtë aktuale dhe paqen e qëndrueshme perspektive e rrezikojnë edhe sot, tendencat për konflikt të ngrirë, tendencat për bllokim të gjithanshëm të proceseve të normalizmit, zhvillimit, demokratizimit, afrimit, bashkëpunimit  e integrimit, si brenda secilit vend ashtu edhe në dimensione euroatlantike e globale. E gjithë kjo në pritje të rastit për ndërmarrje revanshiste e prapakthyese.

Kosova është shembull i mirë për të gjithë të tjerët që ekonomia dhe demokracia shkojnë bashkë. Pas ndryshimeve të mëdha demokratike në zgjedhjet plebishitare të shkurtit të kaluar, kemi shënuar arritje dyfishore ekonomike, për herë të parë në Kosovën e pasluftës. Janë shtuar investimet e huaja për 22 për qind, janë shtuar të hyrat tatimore për 34 për qind dhe janë shtuar eksportet për 83 për qind. Demokracia cilësore dhe zhvillimi ekonomik shkojnë bashkë. Dhe kjo është dëshmi se ata që besojnë se zhvillimi ekonomik e ka më shumë për qef autokracinë e kanë gabim. Demokracia nënkupton të drejtat e njeriut, të drejtat civile dhe gjithashtu e ndihmon dhe ndihmohet prej zhvillimit ekonomik.  

Mik i mirë i paqes është jo ai që qëndron indiferent ndaj atavizmave të ndryshëm, të shovinizmave luftënxitës dhe u bën atyre lëshime të pajustifikueshme dhe kontraproduktive, por ai që angazhohet për parandalimin e konflikteve të reja dhe evitimin e regjenerimit të konflikteve të vjetra.

Federata për Paqe Universale dhe ambasadorët e saj të paqes, me vizionin largpamës të inspiruesit dhe themeluesit të saj Reverend Mun, kanë luajtur dhe vazhdojnë të kenë një rol tejet të rëndësishëm në fushën e zgjidhjes së konflikteve, paqendërtimit dhe paqeruajtjes.

Konferenca e sotme, me të drejtë, ka fokusuar vëmendjen te konteksti i invazionit dhe agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar rus në Ukrainë, te trajtimi i ndikimit dhe pasojat e mundshme të konfliktit në paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, shtjellimin e çështjeve shqetësuese dhe kërkimin e zgjidhjeve në këtë kohë kritike.

Siç thoshte, ideatori i Evropës së bashkuar, Shuman, ‘Paqja në botë nuk mund të mbrohet pa përpjekje kreative në proporcion me rreziqet që e kërcënojnë atë. Kontributi që një Evropë e organizuar dhe aktive mund të sjellë për qytetërimin është i domosdoshëm për ruajtjen e marrëdhënieve paqësore. Evropa nuk do të krijohet menjëherë ose sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet me anë të rritjeve e arritjeve konkrete të cilat në radhë të parë do të krijojnë një solidaritet de facto’.

Urojmë për paqe kudo në botë dhe angazhohemi dhe solidarizohemi me kauzën e drejtë të të gjithë popujve që përballen me luftëra, ndarje, copëzime, poshtërime dhe robëri. Fitorja e tyre është fitore për njerëzimin.

Të ngjashme