Kryeministri Kurti: Ndarja e Grantit të Performancës, njohje e meritave të komunave të përkushtuara për shërbime cilësore

Prishtinë | 21 Maj 2021 | 13:20 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së Grantit për Performancë Komunale (2021) që shpërblen komunat për performancën e tyre gjatë vitit 2019.

Në hapje të ceremonisë, Kryeministri Kurti theksoi se ndarja e Grantit të Performancës Komunale përveçse shpërblim, është mjet për njohjen e meritave të Komunave të Republikës së Kosovës, që në mënyrë aktive kanë dëshmuar të jenë të përkushtuara për shërbime cilësore, në të mirë të qytetarëve.

Kryeministri u bëri thirrje komunave që të vazhdojnë me përforcimin e praktikave të mira qeverisëse dhe të jenë përfitues edhe në të ardhmen, derisa komunat që nuk kanë përfituar në këtë fazë, të rrisin angazhimin e tyre për plotësimin e kushteve të kërkuara për kualifikim.

Ceremonia e Grantit të Performancës Komunale e organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim  (SDC), Suedisë dhe Norvegjisë, ku morën pjesë kryetarët e komunave, përfaqësues nga ministritë përkatëse, përfaqësues nga komuniteti i donatorëve dhe shoqëria civile.

Fjalimi i plotë i Kryeministrit Albin Kurti në ceremoninë e Grantit të Performancës Komunale

I nderuar Ministër i MAPL-së, z. Elbert Krasniqi,

Të nderuar përfaqësues të ambasadave, donatorë të Grantit të Performancës,

Shkëlqesi ambasadorë,

Të nderuar kryetarë të komunave,

Përfaqësues të shoqërisë civile, mediave dhe qytetarë të Republikës së Kosovës

Kam nderin të jem sot bashkë me ju në këtë ngjarje mjaft të rëndësishme për të shënuar progresin e komunave dhe përpjekjet e tyre në ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarë.  Ndarja e Grantit të Performancës Komunale përveç se shpërblim, është mjet për njohjen e meritave të Komunave të Republikës së Kosovës, që në mënyrë aktive kanë dëshmuar të jenë të përkushtuara për shërbime cilësore, në të mirë të qytetarëve.

E di se shumëçka pritet nga niveli qendror në shumë fusha, por jeta zhvillohet në Komunë, prandaj edhe pasqyra e zhvillimit dhe progresit tonë si shoqëri janë pikërisht komunat në tërësinë e tyre. Komunat mund të punojnë në planet dhe strategjitë e zhvillimit ekonomik. Ato janë përgjegjëse për licencimin e veprimtarive afariste, për aplikimin e tatimeve dhe pagesave, sigurimin e infrastrukturës dhe të arsimit bazik, dhe miratimin e rregulloreve që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e vendeve të punës.

Në të gjitha vendet demokratike, komuna është institucioni më i rëndësishëm për trajtimin e kërkesave të qytetarëve, me detyrën të përfaqësojë drejt nevojat dhe pikëpamjet e lokalitetit. Qeverisja lokale paraqet vlerë të shtuar të qytetërimit në çdo sistem politik modern, andaj shpesh thuhet se nuk ka demokraci pa vetëqeverisje lokale.

Rëndësia e pushtetit lokal bën që të gjejë mbështetje përmes rregullimit kushtetues dhe ligjor, pra të ketë peshën e vet politike dhe juridike në kuadër të sistemit qeverisës. Kushtetuta jonë ka adoptuar një model qeverisës në frymën e parimeve të Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, me organe të zgjedhura drejtpërdrejt nga qytetarët, me kompetenca funksionale dhe raporte të koordinuara me nivelin qendror. Në funksion të saj, gjatë këtyre viteve, janë nxjerrë shumë ligje të cilat pasqyrojnë jetën institucionale të komunave, dhe e bëjnë më të dobishme ndaj kërkesave të qytetarëve.

Supozimet se autoritetet lokale janë të afta të rregullojnë dhe menaxhojnë një pjesë të shërbimeve vitale për shoqërinë, duhet të vërtetohen dhe të vlerësohen në vazhdimësi nga autoritetet qendrore. Autoritetet publike duhet të krijojnë mekanizma efikas të mbikëqyrjes që garantojnë një bazë të mirëfilltë të informacionit për përfitime të shumanshme. Lidhur me këtë, shteti ynë ka zhvilluar një sistem për matjen e performancës komunale, ashtu siç e kanë bërë shumë shtete tjera, në vazhdën e reformave të përgjithshme të administratës publike. Duhet të themi se zhvillimi i sistemit për menaxhimin e performancës komunale është një ide e pranueshme dhe mjaft e rëndësishme për komunat. Sisteme të tilla lehtësojnë përpjekjet për arritjen e standardeve ligjore, nxisin konkurrencën, fuqizojnë transparencën dhe bëjnë që sjelljet e punonjësve të përqendrohen në arritjen e caqeve të synuara. Në radhë të parë, të dhënat për shërbimet publike të ofruara sigurojnë që administrata të transformohet nga një nivel i planifikimit intiutiv në nivel të planifikimit organizativ, pra që politikat publike të projektohen sipas të dhënave reale, duke sjellë rezultate në zbatim. Sa më i pasur të jetë fluksi i informacionit mbi punën e organeve të pushtetit, aq më tepër do të zgjerohet ideja e ndërveprimit të një publiku të interesuar për çështje publike.

Gjëja më themelore e modelit të menaxhimit të performancës, për të cilën duhet të pajtohemi të gjithë, është që matja të jetë sa më cilësore, me të dhëna të sakta dhe reale. Pasqyra e të dhënave të fituara duhet të jetë premisë kryesore për shtrirje të investimeve nga niveli qendror. Kjo do të jetë qasja jonë zhvillimore për avancimin e pushtetit lokal. Kur kësaj i shtojmë skemën e grantit stimulues të performancës sipas meritës, rezultatet do të jenë më të mëdha, sikurse që përpjekjet e komunave të jenë edhe më të fokusura. Mbetet të vëmë në dukje edhe më tej rolin dhe pozicionin e skemës së Grantit për Performancë Komunale, si i vetmi në rajon, që ofron përkrahje direkte për komunat më të suksesshme.

Mënyra e funksionimit të kësaj skeme, përfshirja e donatorëve si palë aktive dhe roli i shoqërisë civile në të gjitha proceset vendimmarrëse, është tregues i padiskutueshëm që ky grant duhet të mbetet prioritet afatgjatë. Dëshiroj të theksoj se në planin tonë legjislativ është përfshirë avancimi i kornizës ligjore të kësaj fushe, në mënyrë që të rrisim burimet financiare të komunave dhe performancën ta projektojmë përmes një qasje afirmative të bazuar në stimuj financiarë.

4.35 milionë të grantit të performancës në këtë periudhë jo të lehtë për shkak të pasojave të pandemisë, janë një vlerë e mirëpritur për 21 komunat përfituese. Nëse marrim parasysh shumat e alokuara në 3 vitet e kaluara (mbi 12 milionë euro), sigurisht që granti zë vendin e padiskutueshëm në zhvillimin ekonomik lokal. Vullneti ynë është që ky grant të jetë sa më përfshirës dhe të rritet vit pas viti.

Dëshiroj të falënderoj tre donatorët kryesor të skemës së Grantit, Qeverinë e Zvicrës, Qeverinë e Suedisë dhe të Norvegjisë, për mbështetjen e vazhdueshme në drejtim të përkrahjes së institucioneve tona shtetërore, e posaçërisht për kontributin e tyre në ndërtimin dhe zhvillimin e Grantit të Performancës Komunale.

Në fund, më lejoni t’ju bëjë thirrje që të vazhdoni me përforcimin e praktikave të mira qeverisëse dhe të jeni përfitues edhe në të ardhmen, derisa komunat që nuk kanë përfituar në këtë fazë, të rrisin angazhimin e tyre për plotësimin e kushteve të kërkuara për kualifikim.

Të ngjashme