Kryeministri Kurti në Kuvend: Është edukim ta pranosh, ta dëgjosh, e ta mbështetësh një grua

Prishtinë | 07 Mar 2022 | 17:42 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në debatin parlamentar lidhur me pabarazinë gjinore të grave në shoqëri, që u mbajt në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Fjalën e tij e filloi duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta dhe mirënjohjen më të thellë për humbjen, vuajtjet dhe kurajon, të gjitha motrave dhe vëllezërve të cilëve ua kanë vrarë motrën, të gjitha shoqeve dhe shokëve që ua kanë vrarë shoqen, të gjithë prindërve që ua kanë vrarë të bijën dhe të gjithë fëmijëve të cilëve ua kanë vrarë nënën.


Përgjatë saj ai trajtoi gjashtë çështje; nevojën për bashkëpunim në krijimin dhe mirëmbajtjen e vatrave të solidaritetit shoqëror; emancipimin shoqëror, me theks te ai i burrave; përfshirjen dhe pjesëmarrjen e grave në procese vendimmarrëse; trajtimin më të thellë të pasojave të luftës; rritjen e vetëdijesimit të përgjithshëm se pikërisht pse jemi të ndryshëm duhet të jemi të barabartë; dhe raportin midis diskriminimit dhe përjashtimit.


Me këtë rast, kryeministri Kurti potencoi faktin se programet që gratë i kanë ndihmuar gratë janë treguar të suksesshme, ndërsa vlerësoi se institucionet duhet të investojnë në këtë drejtim. “Për të gjitha çështjet që lidhen drejtpërsëdrejti me jetën e grave tek unë si Kryeministër insistojnë më së pari e më së shumti gratë. Kjo flet për solidaritet gjinor ndërmjet grave. Por ne duhet ta kemi parasysh se ky fakt nuk na e heq obligimin ne, burrave që të merremi me pabarazinë gjinore”, tha kryeministri Kurti.


Duke iu drejtuar deputetëve, ai shtoi se duhet të sigurohemi që të mos kemi procese zyrtare as në Parlament, as në Qeveri, pa gra dhe se për çdo vendim që merret nëse nuk është në duart e grave patjetër duhet të konsultohen ato sepse nuk ka tema që nuk i prekin jetët e grave.


“Me zotimin që urimi është zotim: Urime 8 Marsin!”, përfundoi fjalën e tij, kryeministri Kurti.


Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në debatin parlamentar lidhur me pabarazinë gjinore të grave në shoqëri:

Më lejoni që fillimisht t‘ju shprehë ngushëllimet më të sinqerta dhe mirënjohjen më të thellë për humbjen, vuajtjet dhe kurajon, të gjitha motrave dhe vëllezërve të cilëve ua kanë vrarë motrën, të gjitha shoqeve dhe shokëve që ua kanë vrarë shoqen, të gjithë prindërve që ua kanë vrarë të bijën dhe të gjithë fëmijëve të cilëve ua kanë vrarë nënën.

I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës,

Të nderuar deputetë të Kuvendit,

Ministra të Qeverisë,

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas- 8 Marsin do të theksoj shkurtimisht 6 çështje:

E para, është që nevojitet si institucione të shtetit, por edhe si shoqëri civile të bashkëpunojmë për krijimin dhe mirëmbajtjen e vatrave të solidaritetit gjinor. Gratë duhet t’i ndihmojnë gratë dhe këtu duhet të investojmë të gjithë. Duhet të kemi programe, duhet të kemi kurrikula të cilat ndihmojnë solidaritetin gjinor.


Është thënë shumë e shpesh se gratë e luftojnë njëra – tjetrën, por është vënë re pak se ato e përkrahin, e mbrojnë e nxisin njëra – tjetrën. Kjo kulturë solidare vërej se është në rritje. Ky mund të jetë potencial drejt barazisë dhe ne duhet ta theksojmë e ta mbështesim. Do të punojmë në programe e kurrikula që e rrisin solidaritetin gjinor. Programet që gratë i kanë ndihmuar gratë janë treguar të suksesshme dhe ne si institucione duhet t’i përkrahim ato e të investojmë në këtë drejtim. Për të gjitha çështjet që lidhen drejtpërsëdrejti me jetën e grave tek unë si Kryeministër insistojnë më së pari e më së shumti vetë​ gratë. Kjo flet për solidaritet gjinor ndërmjet grave. Por, ne duhet ta kemi parasysh se ky fakt nuk na e heq neve obligimin, burrave që të merremi me pabarazinë gjinore. 


Tek, e fundit, përjashtimi i grave nuk ka ardhur prej vetpërjashtimit. 


Ne duhet të pranojmë kritikën, duhet t’i përcjellim analizat e organizatave të grave dhe kujtdo që na drejtohet me sugjerime për pjesëmarrje të grave. 


E dyta, është emancipimi shoqëror, me theks te emancipimi i burrave. Sepse, shpesh herë kur themi emancipimi mendojmë t’i emancipojmë gratë. Por, vetëm emancipimi nënkupton qe besa t’ju flasim pak më shumë burrave se sa grave se çka është barazia, e pse po ngjanë e nuk duhet të ngjajë diskriminimi. Pra, emancipim shoqëror që në spikamë ka vetëdijesimin dhe edukimin e burrave. 


Pra, emancipimi shoqëror është i nevojshëm por emancipimi dhe edukimi i burrave më së shumti e më së shpejti. Është edukim ta pranosh, ta dëgjosh, ta citosh, ta mbështetësh e ta ndjekësh një grua. Ashtu siç duhet të inkurajojmë solidaritetin mes grave duhet ta nxisim edhe një kulturë të durimit tek burrat. Të mos reagojnë menjëherë e sidomos të mos paragjykojnë me bazë gjinie. Ne duhet ta dekurajojmë imponimin e dominimin edhe aty ku nuk është në formën e vet më të dukshme. Duhet të sigurohemi që a po sfidohet një profesioniste apo një grua. A po diskriminohet një nxënëse apo një vajzë.  


E treta, jo vetëm thjesht përfshirje e inkuadrim i grave, por pjesëmarrje e tyre. Sepse përfshirja, inkuadrimi nënkupton kontributin e grave, kurse pjesëmarrja nënkupton edhe përfitimin që kanë gratë. Ti merr pjesë aty, e merr një pjesë, jo vetëm inkuadrim, jo vetëm përfshirje. A janë të përfshira edhe gratë, patjetër, mirëpo jo vetëm kaq, sepse përfshirja rrezikon veçse ta formalizojë shfrytëzimin? Gratë janë të përfshira edhe ashtu, sepse japin kontribut, por ato duhet edhe të marrin pjesë, pra të fitojnë. Pra pjesëmarrje në vendimmarrje, mundësisht gjysma ku ti e merr një pjesë përmes pjesëmarrjes.


Përfshirje dhe inkuadrim po, e nevojshme, por e pamjaftueshme, duhet pjesëmarrje, pjesëmarrje në vendimmarrje. 


E katërta, do të ishte një trajtim më i thellë i pasojave të luftës. Unë besoj që shumë padrejtësi, diskriminime, shfrytëzime, shtypje, ndrydhje e qe besa edhe dhunë në shoqërinë tonë e në familje, që ndodh shpesh, janë edhe pasojë e pasojave të patrajtuara të luftës së fundit. Kemi shumë gjëra nën qilim, e të cilat shprehen në forma të ndryshme në shoqërinë tonë e në familjet tona.


Në Kosovë ka më shumë burra e gra, më shumë të traumatizuar nga lufta jo vetëm se sa që ne e pranojmë, por edhe se sa që ne e mendojmë.


Ne sot po diskutojmë për njohjen e kontributit të grave në luftë. Çështjet e pambyllura të luftës e prekin edhe këtë dimension. Qofsh ushtare që nuk nderohesh si ish bashkëluftëtarët e tu, qofsh familje dëshmoreje që nuk vizitohesh po aq sa bashkëluftëtarët e vajzës së rënë për liri, apo edhe e mbijetuar e përdhunimit seksual. 


Jemi munduar t’i adresojmë disa herë e në forma të ndryshme, por nuk kemi bërë mjaft. Çfarëdo fenomeni shoqëror që ndodh, mund e duhet ta ketë edhe analizën e luftës. 


E pesta, duhet një vetëdijesim i përgjithshëm se pikërisht pse jemi të ndryshëm duhet të jemi të barabartë. Se ka një lloj paragjykimi të thjeshtë, por shumë të rëndë, se vetëm ata që janë të njëjtë mund të jenë të barabartë. E te diversiteti, te fakti që kemi diferencat, dallimet, njerëzit janë të ndryshëm, në aq shumë aspekte njerëzit janë të ndryshëm, por pavarësisht se janë të ndryshëm mund dhe duhet të jenë të barabartë. Pra, duke qenë të ndryshëm duhet të jemi të barabartë, e jo vetëm ta kuptojmë barazinë si identitet: aty ku njerëzit a gjërat janë identike me njëra–tjetrën, pra të njëjta, aty mund të jenë të barabartë. Nëse janë të ndryshme pabarazia bëhet fakt.  Por aty ku gjërat e njerëzit janë të njëjta aty vetvetiu janë të barabartë. Si shoqëri njerëzore duhet t’i krijojmë barazi aty ku ka gjëra e njerëz të ndryshëm, jo vetëm ku ato janë identike. 


Të gjithë të ndryshëm, të gjithë të barabartë, jo vetëm se është frazë e mundshme por duhet të jetë synim serioz. Për më tepër është edhe e saktë. Asnjë nuk jemi njëlloj. Ne nuk matemi me diferencat tona, po me të drejtat tona. E të drejtat duhet t’i kemi të barabarta. 


Qeverisja jonë e ka për qëllim ndalimin e shfrytëzimit dhe dominimit. Nuk është problem të qenit i ndryshëm, problem është të qenit egoist e paragjykues, e në veçanti paragjykues.


Kur njerëzit paragjykojnë, ata këtë e bëjnë sepse përtojnë të mendojnë. Të gjithë ata që paragjykojnë mundemi t’i akuzojmë për dembeli të mendjes. Paragjykojnë sepse nuk duan të mendojnë. Po të mendonin nuk do të paragjykonin.


Dhe e gjashta, e fundit, është raporti midis diskriminimit dhe përjashtimit. Në një mekanizëm, institucion, organ, entitet, sistem, strukturë të caktuar ka pabarazi të brendshme, por ka nganjëherë edhe përjashtim total, margjinalizim, kur nuk e ke as luksin të jesh i diskriminuar, sepse nuk je fare aty, je komplet e përjashtuar. Dhe paradoksalisht kur kalon nga përjashtimi te diskriminimi është një progres, sepse teknikisht hyre brenda e ishe jashtë. Edhe këtë duhet ta luftojmë. Të mos e bëjmë zëvendësimin e përjashtimit me diskriminim. Pra, përjashtimi absolut të mos zëvendësohet me pabarazi aty ku u pranove poshtë porsa mori fund përjashtimi anash.


Ne duhet të sigurohemi, të nderuar deputetë që të mos kemi procese zyrtare as në Parlament, as në Qeveri, pa gra. Për çdo vendim që merret nëse nuk është në duart e grave patjetër duhet të konsultohen ato. Nuk ka tema që nuk i prekin jetët e grave. Por ka tema të mëdha që prekin vetëm jetët e grave, andaj le t’i dëgjojmë ato të gjithë ne së bashku më shumë.


Me zotimin që urimi është zotim: Urime 8 Marsin!

Të ngjashme