Kryeministri Kurti në vizitën e parë zyrtare në Shqipëri: Kosova dhe Shqipëria janë prioritet i njëra-tjetrës

Tiranë | 11 Shk 2020 | 18:29 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar vizitën e parë zyrtare në Republikën e Shqipërisë.

Takimin e parë, kryeministri Kurti e ka mbajtur me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili është pritur në Pallatin e Brigadave me ceremoni shtetërore.

Në këtë takim, është biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe mundësinë e thellimit të këtij bashkëpunimi në fusha të përbashkëta, në aspektin ekonomik, të prodhimtarisë, të arsimit, të sigurisë e të politikës së jashtme.

Pas takimit, të dy kryeministrat, Kurti dhe Rama kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët për media:

Ju faleminderit shumë, i nderuar kryeministër Rama. Unë jam shumë i gëzuar që sot ndodhem në Tiranë. Edhe një orë bëhet 1 javë që jam në këtë detyrë të re si kryeministër i Republikës së Kosovës.

Vendi i parë që vizitova jashtë Prishtinës si kryeqytet, ishte Prekazi i kryekomandantit Adem Jasharit, qyteti i parë që vizitova jashtë Prishtinës, ishte Mitrovica ndërkaq, natyrisht shteti i parë jashtë Kosovës ku vij, patjetër që duhej të ishte Shqipëria dhe unë ju falënderoj shumë edhe për mikpritjen, edhe për bisedën që kishim, për mikpritjen e përzemërt, dhe për bisedën shumë konstruktive.

Unë dua që në këtë dekadën e tretë të shekullit XXI të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë- Shqipëri çfarë nuk ka pasur asnjëherë midis dy vendeve tona.

Pra, Kosova dhe Shqipëria janë prioritet i njëra tjetrës dhe nuk janë çështje që presin në asnjë fushë.

U dakorduam, siç e tha edhe kryeministri Rama, që të formojmë një komision ndërshtetëror i përbërë  edhe nga ministra dhe deputetë që ato 77 marrëveshje që janë nënshkruar deri më tani të zbatohen, por edhe të shtohen me marrëveshje të reja.

Duam që ta shtojmë bashkëpunimin, ta shtojmë bashkërendimin duke e thelluar, e duke e zgjeruar atë.

Me këtë rast, dua të falënderoj Republikën e Shqipërisë dhe popullin shqiptar për ndihmën, përkrahjen e pakursyer dhe të parezervë për Kosovën.

Kosova nuk do t’ia dilte me sukses karshi Serbisë në luftë, por po ashtu, as në paqe pa Shqipërinë.  

Andaj, ne kurrë nuk e harrojmë këtë gjë dhe duam që në shekullin XXI të ecim bashkë, shpejt,  fuqishëm.

Në veçanti, duam që të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, të prodhimtarisë, të arsimit, të sigurisë e të politikës së jashtme.

Besojmë se këto janë fusha në të cilat i kemi preokupimet e njëjta, dhe gjithashtu, partnerët e aleatët tanë demokratikë të zhvilluar e perëndimorë, janë po të njëjtit.

Ju faleminderit edhe njëherë kryeministër, e besoj se do ta dëshmojmë se si dy kryeministra të dy shteteve tona do ta avancojmë bashkëpunimin tonë shtetëror në fusha dhe përmasa çfarë i ka dëshiruar gjithmonë kombi ynë, por ende nuk i ka parë, e këtë do ta ketë rastin pikërisht me ne.

Të ngjashme